Reagon Aleanca për Shqiptarët, kërkon lirimin e protestuesve

Tetovë, 18 shtator – Aleanca për Shqiptarët ka dënuar ashpër arrestimin e protestuesve dhe ka kerkuar lirimin e menjëhershëm të tyre. Nga kjo parti thonë se protesta është e drejtë demokratike dhe sigurohet me kushtetutë, ndërsa revolta e shprehur në to është vetëm refleksion i pakënaqësisë ndaj qeverisjes aktuale.

“Janë dhjetëra raste dhe tragjedi në të cilat kanë humbur jetën dhe janë dëmtuar në forma të ndryshme shume qytetarë, si pasojë e qeverisjeve të njëpasnjëshme të BDI-së dhe në asnjë prej tyre nuk ka të arrestuar. Janë 14 bashkëqytetarë tanë të djegur në zjarr në spitalin modular në Tetovë dhe ende nuk ka asnjë të arrestuar e as të shkarkuar. Ndërkohë, kur qytetarët kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi për të gjitha këto tragjedi, policia dhe pushteti janë të shpejtë në arrestimin dhe përndjeken e tyre”, tha Adnan Neziri nga ASH-ja.