Qeveria solli masa të reja për parandalimin e përhapjes së Kovid-19

Shkup, 7 gusht  – Qeveria në mbledhjen e sontme të 97-të, të mbajtur përmes videolidhjes, në bazë të rekomandimit të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, në lidhje me mbrojtjen e popullatës nga koronavirusi solli vendim për kontrolle të përforcuara të masave ekzistuese anti Kovid, si dhe ndalesë të plotë të çdo lloj ngjarjesh dhe punë të objekteve hotelierike në ambiente të mbyllura nga 16 gushti dhe vërtetim të obligueshëm për vaksinë, të paktën me dozën e parë, gjatë hyrjes në ngjarje ose objekt me më shumë se 30 të pranishëm në ambient të hapur nga 15 gushti.

Siç njoftoi shërbimi për informim i Qeverisë, me vendimin deri më 15 gusht të gjitha objektet hotelierike të regjistruara për ahengje guxojnë të punojnë në hapësirë të mbyllur, vetëm me respektimin e masave KOVID, me përmbushje të kapacitetit prej 40 për qind dhe më së shumti 250 mysafirë, sipas protokolleve ekzistuese të cilat janë në fuqi.

“Për klubet e natës (diskoteka), kabare, bare mbetet ndalesa për punë në pjesën e mbyllur të objektit, përveç në pjesën e hapur (tarraca) me 50 për qind të kapacitetit të hapësirës dhe numër të kufizuar të vizitorëve deri më së shumti 1.000 vizitorë, sipas protokolleve ekzistuese”, thuhet në kumtesë.

Përveç kësaj, nga 16 gushti plotësisht ndalohet puna dhe organizimi i çdo lloj ngjarjesh në ambient të mbyllur në të gjitha objektet hotelierike dhe kafenetë, përfshirë edhe ahengje në objekte hotelirike të regjistruara për ahengje ose lloj tjetër i objekteve të llojit të mbyllur.

“Nga 16 gushti i vitit 2021 vendoset vërtetim i detyrueshëm për imunizim të bërë me të paktën dozën e parë, me shërbim të detyrueshëm të sigurisë për shkak të kontrollit dhe prezantimit të dëshmisë për vaksinim gjatë hyrjes në çfarëdo lloj objekti, përfshirë edhe objekte hotelierike, ku ka më shumë se 30 persona të pranishëm, për çfarëdo lloj ngjarjesh (ahengje, koncert, seminar, trajnim, punëtori, konferencë, ngjarje kulturore ose sportive). Prezantimi dhe posedimi i vërtetimit për imunizim të bërë – të paktën dozën e parë të vaksinës, ka të bëjë për persona të moshës mbi 18 vjet”, shtohet në kumtesë.

Me vendim të Qeverisë detyrohen shërbimet kompetente inspektuese në periudhën e ardhshme t’i intensifikojnë kontrollet me qëllim të zbatimit strikt dhe respektimit të rekomandimeve parandaluese, masat kohore dhe masat e ardhshme sa i përket Kovid-19.