Partitë politike paralajmërojnë fushatë pozitive për zgjedhjet lokale

Shkup, 2 shtator – Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale më 17 tetor fillon më 27 shtator, por partitë politike tashmë filluan me akuza të ndërsjella dhe thirrje për fushatë pozitive. Deri më 9 shtator vazhdon afati për kontroll të listës zgjedhore, në zyrat e KSHZ-së dhe në mënyrë elektronike, përmes ueb faqes së Komisionit. Pritet gjatë fundjavës të arrijnë edhe 200 terminalet e para për leximin e shenjave të gishtave të votuesve, që për herë të parë duhet të zbatohen në këto zgjedhje.

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski paralajmëroi se partia e tij për zgjedhjet lokale do të udhëheqë fushatë pozitive, duke potencuar se nëse pjesëmarrësit tjerë në zgjedhje planifikojnë fushatë të ndyrë kjo do të jetë zgjedhja e tyre.

Për në fund të kësaj jave lideri i VMRO-DPMNE-së paralajmëroi mbledhje të Komitetit Qendror dhe Ekzekutiv dhe do të kumtohen një pjesë e kandidatëve tjerë për kryetarë të komunave.

Për kandidatët e LSDM-së, ai tha se nuk do të komentojë, por ajo që më së shumti e ka prekur janë kryetarët e komunave të komunave më të mëdha të Pellagonisë Manastiri dhe Prilepi, ku sipas tij LSDM e ka pranuar humbjen.

LSDM-ja qeveritare gjithashtu paralajmëron se do të udhëheq fushatë pozitive, që e ka dëshmuar edhe në shumë cikle zgjedhore.

“Kemi rezultate të shkëlqyera të cilat janë arritur në katër vitet e fundit me mbi 7.000 projekte të realizuara. Fokusi i kësaj fushate gjithsesi do të jetë interesi i qytetarëve”, deklaroi zëdhënësja e partisë Bogdaka Kuzeska.

Kuzeska duke e komentuar deklaratën e Mickoskit dhe akuzat e ndërsjella për shprehje të urrejtjes në prag të zgjedhjeve lokale, tha se LSDM apelon te partia opozitare të sillen në mënyrë konstruktive dhe të përfshihen me të vërtetë në fushatë pozitive.

LSDM deri tani për zgjedhjet lokale i konfirmoi 69 kandidatë për kryetarë të komunave, të cilët, siç theksojnë nga partia, janë kuadro të dëshmuara, të njohur dhe me reputacion në rajonet e tyre. Një pjesë e tyre do të luftojnë për mandat të dytë, por një e treta janë fytyra të reja të cilët deri tani nuk patën mundësi të marrin pjesë në pushtetin lokal, por janë dëshmuar në fushat e tyre të veprimit. Koalicionit të udhëhequr nga LSDM iu bashkangjit edhe Partia e Aksionit Demokratik të Maqedonisë.

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut janë caktuar për më 17 tetor. Listat e kandidatëve për zgjedhjet duhet të dorëzohen në Komisionet Zgjedhore Komunale deri më 11 shtator. Fushata do të fillojë më 27 shtator. Fushata dhe zgjedhjet do të mbahen me respektimin e masave për mbrojtje nga Kovid-19.