Osmani: Punojmë në të gjitha frontet e mundshme që sa më shpejt t’i fillojmë negociatat

Shkup, 1 gusht – Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani sot pas takimit me kolegun e tij danez Jepe Kofod deklaroi se edhe pse gjendja politike në Bullgari është mjaft komplekse, duke pasur parasysh se atje do të ketë cikël të tretë zgjedhor, vendi do të vazhdojë të punojë edhe me Sofjen dhe me partnerët evropianë, me qëllim që sa më shpejt të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE.

“Jam optimist nga natyra, por nga përvoja e muajve paraprakë sigurisht nuk është aq lehtë të arrihet një zgjidhje. Por, ne do të vazhdojmë të punojmë edhe me Republikën e Bullgarisë, megjithatë edhe me partnerët evropianë. Prezenca e ministrit këtu, fjalët e tij të fuqishme për mbështetje, konstatimi i tij se vendi meriton fillim të negociatave, se duhet t’i fillojë negociatat është në të vërtetë një mesazh i fortë që jehon kudo në BE, ndërsa besoj se edhe në Republikën e Bulgarisë sepse nuk është vetëm një çështje e tillë nëse Republika e Maqedonisë së Veriut do ta mbajë konferencën e parë sivjet, por cila është perspektiva e rajonit lidhur me Unionin dhe cili është kredibiliteti i të gjithë këtij procesi” tha Osmani.

Sipas tij, mesazhet që dje i drejtoi shefi i diplomacisë greke Nikos Dendiasi, dhe sot ministri i Danimarkës, Kofod, janë mesazhe të fuqishme të cilat inkurajojnë dhe japin optimizëm se vendi është[ në rrugën e vërtetë.

“Këto janë në të vërtetë mesazhe të fuqishme të cilat më inkurajojnë, më japin më shumë optimizëm, por më e rëndësishme i inkurajojnë qytetarët se ky vend është në rrugë të drejtë, ky vend është i gatshëm, ky vend ka perspektivë dhe nuk është çështje nëse do t’i fillojë negociatat dhe nëse do të bëhet anëtare e BE-së, por kur kjo do të ndodhë dhe në atë punojmë në të gjitha frontet e mundshme që të jetë sa më shpejt”, theksoi Osmani.

Paraprakisht, ministri danez Kofod, i cili ndodhet për vizitë të parë në vend, në konferencë për shtyp me Osmanin tha se Maqedonia e Veriut është e gati për t’i filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se Danimarka do të angazhohet për këtë. Shfaqi shpresë se negociatat do të fillojnë sa është e mundur më shpejt dhe se Danimarka fuqimisht qëndron pas Maqedonisë së Veriut, ndërsa gjithashtu dhe jep mbështetje të fuqishme për reformat që vendi i ndërmerr viteve të fundit, por edhe më parë.