Osmani në takim me Vendi Shermanin dhe vendet aleate për situatën në Afganistan

Shkup, 22 gusht – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani me ftesë të Vendi Shermanit, zëvendës sekretar shtetëror i SHBA-së, sot mori pjesë në takim përmes video- lidhjes, kushtuar ngjarjeve në Afganistan. Në takim, përveç Republikës së Maqedonisë së Veriut morën pjesë edhe vende anëtare të BE-së dhe NATO-s, si dhe vende tjera mike nga rajone të ndryshme të botës, të gatshëm të sigurojnë strehim të përkohshëm për qytetarët e Afganistanit, jetët e të cilëve janë në rrezik.

Osmani ka informuar aleatët për procesin e evakuimit të shtetasve tanë në Afganistan, një pjesë e të cilëve tashmë kanë ardhur, me ç ‘rast shprehu falënderim për të gjithë vendet mike të cilët përkrahën përpjekjet tona në këtë drejtim.

“Maqedonia e Veriut i ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe po presim që të pranojmë një pjesë të vogël të popullsisë paqedashëse të Afganistanit, veçanërisht gra dhe fëmijë, si dhe përfaqësues të organizatave humanitare që në 20 vitet e fundit, së bashku me aleatët e NATO -s, përfshirë edhe ushtrinë tonë, morën pjesë në ndërtimin e proceseve demokratike në atë vend. Duke u nisur nga parimet e solidaritetit dhe humanizmit, si jashtëzakonisht të rëndësishme në këto kohë të vështira për qytetarët e Afganistanit, kjo është më e pakta që mund të bëjmë për këta njerëz”, theksoi Osmani.

Në mbledhje u shqyrtua situata momentale e sigurisë në Afganistan dhe u riafirmua bashkëpunimi i ndërsjellë dhe përpjekjet e përbashkëta për tejkalimin e sfidave aktuale, si dhe zvogëlimin e rrezikut të paraqitjes së krizës së re humanitare.