Nikolovski: Finalizohet propozim ligji për origjinën e pronës

Shkup, 25 gusht – Institucionet do të alarmohen nëse ka një diferencë më të madhe se pragu i pritshëm midis të ardhurave dhe pronës, me ç’rast origjina e pronës do të shqyrtohet sipas detyrës zyrtare. Përveç kësaj, do të mund të veprojnë sipas raporteve dhe ankesave për dyshim për pronë të fituar në mënyrë të paligjshme. Çdo gjë që konstatohet se është fituar në mënyrë të paligjshme do të konfiskohet, dhe siç parashikohet me ligj – do t’i kompensohet shtetit për dëmin e bërë,” tha zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupco Nikolovski në punëtorinë e sotme të grupit të punës të ekspertëve që e përgatit propozim ligjin për origjinën e pronës.

Propozim-ligji është në fazën përfundimtare. Janë siguruar dispozita që lejojnë verifikimin e origjinës së pronës nëse ka dyshime për mënyrën në të cilën është fituar. Me këtë zgjidhje ligjore për herë të parë vendoset kontrolli i kapitalit, me çka hapet rruga për konfiskimin e pronës së fituar në mënyrë të paligjshme dhe parandalon pasurimin e paligjshëm në kurrizin e qytetarëve.

Dispozitave të propozim-ligjit të ri për origjinën e pronës u nënshtrohen jo vetëm mbajtësit e posteve publike, por të gjithë qytetarët. Në veçanti, të gjithë do të duhet të dëshmojnë se si e kanë fituar pronën dhe kapitalin, në rast se ekziston dyshimi se ai tejkalon të ardhurat e tyre të rregullta të tatueshme. Nëse personi nuk e vërteton origjinën e pronës, ajo do të konfiskohet me vendim gjykate.

Me këtë ligj, i cili po miratohet në vend për herë të parë, tejkalohen pengesat aktuale sistemike për kontrollimin e pronës dhe personave që nuk janë më zyrtarë. Dispozitat e ligjit të ri parashikojnë një masë tjetër të madhe kundër korrupsionit, e cila është një inspektim i gjendjes pronësore të ish-zyrtarëve. Ndryshe nga detyrimi aktual për personat e zgjedhur dhe të emëruar për të dorëzuar një deklaratë prone gjatë mandatit të tyre, ky detyrim tani ka një shtrirje më të gjerë përsa i përket kohëzgjatjes së inspektimit të pronës. Një nga risitë në versionin draft ligjor është se ekzaminimi do të kryhet edhe nëse prona u transferohet palëve të treta.

Ligji synon të ndikojë në përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe për ta mbrojtur buxhetin publik nga çdo ndikim, siç është pasurimi i paligjshëm.

Grupi punues i ekspertëve që e përgatit propozim ligjin për origjinën e pronës formohet nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Nikollovski dhe Këshilli i Evropës.