Konferenca ndërkombëtare “Rimëkëmbja ekonomike dhe rritja pas kovidit” më 6 dhe 7 shtator në Shkup

Shkup, 2 shtator – Konferenca e parë vjetore ndërkombëtare “Rimëkëmbja ekonomike dhe rritja pas kovidit”, në organizim të Ministrisë së Financave do të mbahet më 6 dhe 7 shtator në Shkup.

Konferenca, siç informoi në brifingun e sotëm ministri i Financave, Fatmir Besimi, është menduar si platformë për zhvillim dhe debat për politika ekonomike, me theks në transparencë dhe gjithpëfshirje, në të cilën ministrat do t’i prezantojnë prioritetet e tyre në kuadër të planifikimeve buxhetore për vitin e ardhshëm, me çka do të përforcohet edhe vetë procesi i planifikimit buxhetor.

Në kuadër të konferencës dyditore ekspertë dhe ministra nga vendi dhe jashtë vendit, në mesin e të cilëve edhe nënkryetarja e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Ana Bjerde, drejtori i departamentit evropian pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, Alfred Kamer, ndihmësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe drejtor i UNDP-së i Byrosë për Politikë dhe Mbështetje të Programit, Haoliang Ksu dhe drejtoresha rajonale për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore, Linda Van Gelder dhe të tjerë do të debatojnë dhe shkëmbejnë përvoja, në kuadër të gjashtë paneleve: Sfida globale dhe rajonale dhe pikëpamje për rimëkëmbje dhe rritje; Politika makroekonomike dhe financa publike në kohët pas pandemisë; Menaxhim të mirë dhe kohezion social; Investime publike dhe private dhe konkurrencë; Ekonomi e mençur dhe e gjelbër dhe Kapital njerëzor dhe rritje gjithëpërfshirëse.

Qëllimi i konferencës është të nxitet sinergjia e ideve dhe iniciativave nga bartësit e politikave dhe përfaqësuesit politikë, partnerëve ndërkombëtarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe akademisë si dhe ekspertë të tjerë për përmirësimin e dialogut në tema ekonomike dhe financiare me kontekst nacional dhe rajonal, të cilat pastaj do të shfrytëzoheshin në procesin e krijimit të politikave makroekonomike, financa publike dhe reforma strukturore.

Konferenca do të jetë në format hibrid, me prani fizike në hotelin Hillton në Shkup dhe onllajn në platformën e re digjitale – www.seff.mk.