Komuna e Gostivarit e vetmja komunë shqiptare pjesëmarrëse në fazën e dytë të ReLOaD2

Shkup, 6 gusht – Komunat e Gostivarit, Kumanovës, Manastirit, Ohrit, Gjevgjelisë, Koçanit, Velesit dhe Kriva Pallankës janë përzgjedhur për të marrë pjesë në fazën e dytë të Programit Rajonal për Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2) brenda thirrje publike të drejtpërdrejta dhe të hapura drejtuar qeverive lokale nga shtatë rajonet planifikuese: Lindja, Veri-Lindja, Pellagonia, Pollogu, Jug-lindja, Jug-perëndimi dhe rajoni i Vardarit.

Projekti ReLOaD2 financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNDP.

“Komunat e përzgjedhura do të jenë përfituesit kryesorë të asistencës financiare dhe mbështetjes teknike të ekipit të projektit që do të rrisë kapacitetet e komunave dhe organizatave të shoqërisë civile (OSHC) për t’u angazhuar në partneritete produktive dhe do të kontribuojnë në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe realizimin e prioriteteve lokale në linjë me strategji zhvillimi. Komunat do të ndihmohen në futjen dhe institucionalizimin e mekanizmave transparentë për financimin e OSHC-ve nga buxhetet e komunave, të cilat do të sigurojnë rritjen e pjesëmarrjes qytetare në proceset vendimmarrëse dhe ofrimin e shërbimeve publike”, thonë nga Komuna e Gostivarit.

Komunat partnere të përzgjedhura do të kenë mundësinë të shfrytëzojnë grante në vlerë prej mbi 900,000 dollarë amerikanë me qëllim financimin e projekteve të OSHC -ve me interes publik që janë në përputhje me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

“Në periudhën në vijim, ekipi i projektit ReLOaD2 do të punojë me zyrtarët lokalë në zbatimin e aktiviteteve të tilla si trajnimet për ngritjen e kapaciteteve për të siguruar transparencë të plotë në financimin e ardhshëm të shoqërisë civile nga buxhetet vendore”, thonë më tej nga Komuna e Gostivarit.

Projekti gjithashtu do të promovojë angazhimin e të rinjve dhe do të mbështesë zbatimin e nismave rinore për të përmirësuar perspektivat e tyre ekonomike në territoret e qeverive partnere.