Komanda e Operacioneve e shënoi Ditën e Njësitit

Shkup, 14 tetor – Pjesëtarët e Komandës për Operacione (KO), me ceremoni ushtarake që sot u mbajt në kazermën “Boro Menkov” në Kumanovë, e shënoi Ditën e Njësitit.

Para të pranishmëve folën shefi i Shtatmadhorisë së Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjeneral-nënkolonel Vasko Gjurçinovski dhe komandanti i KO, gjenerali i brigadës, Besnik Emini.

Gjenerali Gjurçinovski në paraqitjen e tij shprehu mirënjohje për Komandën e Operacioneve për rezultatet dhe detyrat e realizuara me sukses në gjithë periudhën e deritanishme, si dhe angazhimin në procesin e integrimit të plotë në NATO. Gjatë kësaj, e ka theksuar mbështetjen nga udhëheqësia ushtarake dhe shtetërore në përmirësimin e kushteve, pajisjen dhe standardet.

“Kemi obligim dhe borxh jo vetëm drejtë shtetit, por edhe drejtë qytetarëve të vazhdojmë në mënyrë profesionale t’i realizojmë të gjitha detyrat e vendosura për çka kemi njohuri dhe kapacitet”, ka theksuar gjenerali Gjurçinovski, qëndron në kumtesën e Zyrës për marrëdhënie me publikun në Shtatmadhorinë e Armatës.

Para rreshtit foli edhe komandanti i KO, gjenerali i brigadës Besnik Emini, i cili foli për numrin e madh të detyrave të realizuara me sukses gjatë vitit të kaluar, në mesin e të cilëve edhe menaxhimi me sukses me angazhimet në kufirin jugor, pjesëmarrjen në shuarjen e zjarreve dhe asistimin gjatë përballjes me pandeminë me “Kovid 19”, si dhe në ushtrimin ndërkombëtar “Goditja vendimtare 21”.

Sipas tij, në ushtrimin ndërkombëtar “Goditja vendimtare 21”, edhe një herë dëshmuam shkallë të lartë të ndërveprimit me Aleancën, por edhe e konfirmuam moton se bashkë jemi me të vërtetë më të fuqishëm.

“Ne në Komandën për Operacione nuk do ta lëshojmë tempon dhe cilësinë e punës sipas të cilave identifikohemi. Nuk kam kurrfarë dyshimi se do të jemi të suksesshëm në sfidat të cilat i kemi para”, theksoi në fjalimin e tij gjenerali Emini.

Në festimin morën pjesë edhe zëvendësshefi, gjeneral major Azim Nuredini, gjeneralë në Armatë, sekretari shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes, Dragan Nikoliq, përfaqësues nga kabineti i Presidentit të shtetit, ish-komandantë të kësaj komande, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtatmadhorisë dhe nga brigada e Evropës Juglindore, e cila është e locuar në kazermë.

Në kuadër të ceremonive janë ndarë edhe masa stimuluese të pjesëtarëve të KO për rezultatet e realizuara në punë, përderisa për njësitin më të mirë nga përbërja e Komandës për Operacione për vitin e ardhshëm ishte shpallur batalion inxhinierik.