Forum rajonal: Gjyqësia e pavarur dhe e paanshme është themel i qeverisjes demokratike

Shkup, 3 shtator – Gjyqësia e pavarur dhe e paanshme siguron mbrojtjen e të gjitha lirive dhe të drejtave. Kriza e shkaktuar nga pandemia Kovid-19 shtesë e theksoi rëndësinë e mbrojtjes së këtij parimi, pasi kufizimet e imponuara në tentimin e shkatërrimit të pandemisë duhet të analizohen para gjyqësisë së pavarur dhe të paanshme.

Kjo u theksua në hapjen e Forumit të tetë rajonal për sundimin e Ligjit në Evropën Juglindore, organizuar nga Qendra AIRE dhe Civil Rights Defenders me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Mbretërisë së Suedisë dhe Fondacionit Konrad Adenauer, që po mbahet sot dhe nesër në Dubrovnik.

Tema e forumit është “Pavarësia dhe paanësia e gjyqësorit”, dhe në të marrin pjesë gjykatës aktualë dhe ish-gjykatës të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe përfaqësues të institucioneve gjyqësore nga shtatë vende në Evropën Juglindore.

Kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Robert Spano theksoi se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk mund të funksionojë pa gjyqtarë të pavarur dhe të paanshëm.

“Ato janë themeli i sundimit të ligjit. Qeverisja e vërtetë demokratike pa një gjyqësor të pavarur nuk është e mundur,” theksoi Spano.

Endrju Pejxh, shef i Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Zhvillimit dhe Komonuelthit në Mbretërinë e Bashkuar, potencoi se në zemër të dialogut të sotëm janë dy parime që përshkojnë venat e politikës së jashtme britanike: sundimi i ligjit është një nga vlerat themelore të shoqërive demokratike të hapura; një gjyqësor i pavarur dhe i paanshëm është vendimtar për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Këto parime janë baza e vendimeve mbi politikën britanike dhe financimin e programeve në Ballkanin Perëndimor. Nismat e filluara në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër, në të cilat unë isha i përfshirë në mënyrë aktive, bazohen në to. Ato vazhdojnë të jenë themeli i promovimit të shoqërive të hapura nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në të gjithë botën. Është e mrekullueshme të shohësh se Forumi i Sundimit të Ligjit për Evropën Juglindore e pasuron këtë dialog. Përmes shkëmbimit të praktikave të mira në forume të tilla, përfaqësuesit e institucioneve gjyqësore mund të kontribuojnë në formulimin e një plani për të kapërcyer sfidat me të cilat përballen në zbatimin e parimeve bazë të sundimit të ligjit. I uroj Forumit shumë suksese dhe pres rekomandimet e tij,” tha Pejxh.

Forumi për Sundimin e Ligjit për Evropën Juglindore është një nga ngjarjet më të rëndësishme vjetore për përfaqësuesit e gjyqësorit, OJQ-ve dhe avokatët nga rajoni, thonë organizatorët.