Filloi aksioni vjeshtor për rinovimin e gjelbërimit në Shkup

Shkup, 30 gusht – Fillon aksioni vjeshtor për rinovimin e gjelbërimit në qytetin e Shkupit, nga rruga “Moskovska” deri në rrugën “Pariska”, në hapësirë prej rreth 4.000 metra katrorë. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov në konferencën e sotme për media theksoi se në këtë hapësirë vendoset sistem i plotë “pikë pas pike”. Me këtë sistem do të mundësohet zhvillim i vegjetacionit dhe ngritje e standardeve për cilësi të sipërfaqeve të gjelbra dhe ndarjen e komunikacionit për këmbësorë dhe biçikleta.

“Ky aksion vjeshtor për gjelbërim do të zhvillohet deri në fund të nëntorit. Qyteti i Shkupit vetëm këtë vit ka rinovuar dhe ngritur mbi 120.000 katrorë gjelbërim”, deklaroi Shilegovi.

Në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve në lidhje me propozim-ligjin për ndërtimet e jashtëligjshme kryetari tha se ndërtimet e mëdha tashmë kanë përfunduar ose filluar dhe janë sjellë deri në pikën prej të cilës nuk ka kthim.

“Devijimet me legalizimin në fakt janë bërë me Ligjin në vitin 2011 ku qytetarët seriozisht ishin vendosur në pozitë jo të barabartë, sepse kategoria e qytetarëve të cilët rregullisht paguanin taksat, i paguanin shërbimet komunale sipas planeve urbanistike”, sqaroi ai.

Shilegovi tha se kompleksiteti në udhëheqjen e qytetit dhe mungesa e strategjisë për udhëheqjen e qytetit gjatë 27 viteve të kaluara është pengesa kryesore për zhvillim të vërtetë dhe të drejtë të qytetit të Shkupit.

Kryetari i Qytetit të Shkupit theksoi se si BNJVL dhe Qeveria kanë formuar grup pune i cili punon në fazën e përgatitjes së zgjidhjes ligjore për financimin e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, megjithatë edhe rritjen e ingerencave.

“Ne si institucion nuk kemi mundësi juridike e as bazë juridike që të hyjmë në mënjanimin e ndërtimeve pa leje. Megjithatë në të ardhmen si kryetar i këtij qytetit do të kërkoj të jetë një nga ingerencat e qytetit të Shkupit që qytetit të jetë institucion i cili do të mund t’i kontrollojë ndërtimet e jashtëligjshme”, shtoi ai.