Dimitrov – Kofod: Perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut të realizohet në mënyrë konsekuente

Perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut duhet të realizohet në mënyrë konsekuente sipas vendimit të Këshillit të BE-së, duke pasur parasysh rezultatet e arritura në zbatimin e agjendës evropiane, porositi ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë Daneze, Jepe Koford në takimin e sotëm me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov.

Kofod i cili është për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, e riafirmoi mbështetjen për fillimin zyrtar të procesit me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ai e potencoi progresin e vendit dhe uroi për lidershipin e treguar gjatë zgjidhjes së çështjeve të rëndësishme edhe për rajonin, por edhe për Evropën.

Zëvendëskryeministri Dimitrov theksoi se dosja e Maqedonisë së Veriut është vendimmarrëse për ruajtjen e dinamikës në procesin e zgjerimit dhe besimit të BE-së në rajon.

“Hapja e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me BE-në është çështje e cila peshon edhe në anën e Unionit sepse përfaqëson test për vlefshmëri të perspektivës evropiane të rajonit, ndërsa reflekton edhe ndaj fortësisë së shtyllave të Unionit si bashkësi e vlerave. Përparimi i procesit eurointegrues në bazë të vlerësimit objektiv të kritereve të Kopenhagës do të sjellë energji të re dhe besim për përforcimin e idesë evropiane për bashkim, që është e nevojshme edhe në kontekst të proceseve të brendshme të cilat realizohen në kuadër të Unionit”, theksoi Dimitrovi.

Siç informoi SÇE, në takim është biseduar për statusin aktual të dosjes sonë evropiane dhe mundësive për tejkalimin e pengesave për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në. Ishte theksuar rëndësia e zbatimit të vazhdueshëm të procesit të reformave për evropianizim të shoqërisë, me fokus në sferat nga grupi i parë “Themele”.

Dimitrovi dhe Kofodi kanë biseduar edhe për modalitetet për përforcim të bashkëpunimit bilateral në kontekst të mbështetjes në procesin e afrimit drejtë vlerave dhe standardeve evropiane në rajonet kyçe siç është sundimi i drejtësisë, me projekte konkrete dhe ndihmë të ekspertëve.