Covid/ Gjendja kritike edhe në Tetovë, 40 pacientë janë në mbështetje oksigjeni

Tetovë, 9 gusht – Një paciente në moshë 31-vjeçare ndërroi jetë gjatë 24 orëve të fundit, pas hospitalizimit disaditor në kovid-qendrën në Tetovë për shkak të pranisë së konfirmuar të koronavirusit. Ajo ka pasur edhe sëmundje kronike, ndërsa tek ajo është zhvilluar edhe infektim I mushkërive, informoi sot koordinuesi në kovid-qendrën, dr. Gëzim Nuredini.

“Gruaja 31-vjeçare ka pasur paraprakisht anemi të rëndë, ndërsa për shkak të koronavirusit kishte zhvilluar edhe pneumoni të rëndë, Çdo ditë ka pranime të reja të të sëmurëve, dje pati 47 pacientë të hospitalizuar, Prej tyre 40 janë në mbështetje oksigjeni”, informoi Nuredini.

Edhe më tutje mbetet I lartë numri I njerëzve të cilët kanë nevojë për kontrolle për shkak të simptomave të Kovid-19.

“Tetova është përplot, nuk e dimë si do të jetë më tutje. Kontrollet në ambulance tregojnë se çdo ditë po përkeqësohet gjendja shëndetësore dhe se janë pacientë potencialë të cilët do të pranohen. Dje kemi pasur 67 pacientë, këtë e them shpesh, sepse është shenjë se si do të zhvillohen gjërat në ditët në vijim. Të gjithë të vaksinohen, mund të përfundojë pas dy javësh, por nuk e dime si do të jetë në vjeshtë”, tha mjeku.

Ai si udhëzim pozitiv e ceki vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për shkak të numrit të madh të pacientëve, disa prej tyre të dërgohen në Klinikën infektive në Shkup. Kështu, sipas tij, nuk do të ketë nevojë për riorganizim.