Carovska: Mësimi me prani fizike është opsioni më i mirë

Shkup, 18 gusht – Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme në mbledhjen online me ministren Mila Carovska, përshëndeti vendimin e Qeverisë për nisjen e vitit mësimor me prani fizike me protokolle për mbrojtjen e shëndetit.

Nga UNSHM konsiderojnë se mësimi me prani fizike është më i mirë për procesin e arsimit, socializmin dhe mbrojtjen e shëndetit mental.

“Jemi të kënaqur nga vendimi i marrë, për shkak se ne edhe vitin e kaluar u angazhuam që shkollat të jenë të hapura. Shpresojmë se të gjithë bashkërisht me respektim të masave për mbrojtje dhe protokolleve do të kontribuojmë që mësimi në banka shkollore të jetë sa më i gjatë”, tha Luka Paviqeviq, kryetari i UNSHM-së.

Ministrja bashkërisht me nxënësit shqyrtuan protokollin shëndetësor për mësim me prani fizike në shkollat e mesme dhe biseduan për masat shtesë me qëllim që të sigurohet mbrojtje më e madhe për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.

Carovska në takim theksoi se nxënësit janë ndër partnerët më të rëndësishëm të MASH-it në krijimin e politikave arsimore, por edhe te masat për mbrojtje nga pandemia.

“Më vjen mirë që kemi mundësi që viti mësimor të fillohet me prani fizike, për shkak se ne jemi vend që më së shumti i mbajti shkollat të mbyllura për shkak të pandemisë. Shtabi kryesor koordinativ vlerësoi se janë krijuar kushte që mësimi të jetë me prani fizike dhe dje Qeveria e miratoi vendimin”, tha Carovska.

Ajo u bëri thirrje nxënësve të shkollave të mesme dhe kuadrit mësimor që t’i respektojnë masat dhe protokollet për shkak se vetëm kështu mund të mbahen shkollat më gjatë të hapura.