Afat i ri shtesë prej 15 ditësh për të gjithë të interesuarit për shfrytëzimin e fondeve nga IPARD 2, Masa 7

Shkup, 19 gusht – Nga Ministria e Bujqësisë informojmë të gjithë të interesuarit se Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural ka zgjatur afatin e aplikimit për Masën 7 “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve të vogla”.

Afati për paraqitjen e aplikimeve për mbështetje financiare përmes kësaj mase nga programi IPARD 2 zgjatet për 15 ditë shtesë.

Kjo do të thotë që në vend të 22 gushtit 2021, si datë e fundit për aplikim, dokumentacionin e plotë së bashku me kërkesën për mbështetje financiare nga IPARD, të interesuarit do të jenë në gjendje ta dorëzojnë përfundimisht deri më 6 shtator 2021. Duke zgjatur afatin e aplikimit, aplikantëve u jepet një mundësi shtesë për të mbledhur të gjithë dokumentacionin e kërkuar për paraqitjen e aplikimeve.

Mbi 13.5 milionë euro janë në dispozicion për këtë thirrje. Mbështetja financiare për shfrytëzues shkon nga 1.500 në 1.000.000 euro, duke mos përfshirë tatimin e vlerës së shtuar, kurse kthimi i investimit është deri në 65% të kostove totale të pranueshme./Zhurnal.mk