Zgjedhjet lokale, qindra qytetarë kanë kërkuar ndërrimin e qendrave të votimit

Mbi dy mijë aplikacione për regjistrim si votues jashtë vendit kanë arritur deri tani në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Në mbledhjen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se kanë pranuar 933 kërkesa nga qytetarët për ndërrimin e qendrave të votimit.

Nga 2 mijë e 102 aplikacione për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, janë aprovuar 1 mijë e 960 prej tyre derisa 141 nuk i kanë plotësuar kriteret dhe janë në pritje, ka bërë të ditur kryesuesi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj.

“Nga data 10 korrik deri më datën 3 gusht janë gjithsej 2 mijë e 101 aplikacione për regjistrim, të cilat të gjitha këto kërkesa i kanë parashtruar përmes emalin. 2 mijë e 101 aplikacione për regjistrim për të votuar jashtë vendit, 1 mijë e 960 aplikacione janë të aprovuara dhe 140 aplikacione të tjera nuk janë aprovuar akoma”, ka thënë ai.

Aplikuesit të cilët i plotësojnë kriteret ligjore si regjistrues jashtë vendit, mund te votojnë përmes postës, votim ky i cili fillon më 15 shtator, ndërsa fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ deri me 15 tetor 2021.

Aplikimi për regjistrim për të votuar me postë, i shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, mund te bëhet deri më 18 gusht.

“Nga data 20 korrik kur ka filluar edhe periudha për ndërrimin e qendrave të votimit deri në raportin e datës 3 gusht, shërbimi votues përmes platformës online për ndërrimin e qendrave të votimit, ka pranuar gjithsej 783 kërkesa për ndërrimin e qendrave të votimit, ndërsa nga periudha 20 korrik deri më 27 korrik nëpër zyrat komunale zgjedhore, në komisionet komunale të zgjedhjeve nëpër secilën komunë, janë parashtruar 150 kërkesa, kërkesa fizike kanë qenë për ndërrimin e qendrave të votimit përmes formularëve të aplikimit, pra gjithsej janë 933 kërkesa deri tani për ndërrimin e qendrave të votimit”, ka thënë ai.

Periudha për ndërrimin e qendrës së votimit vetëm brenda komunës do të përfundojë më 7 shtator.

Ndërkohë është duke vazhduar periudha e aplikimit të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit si dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për kryetar komune apo për kuvende komunale, periudhë kjo e cila përfundon më 16 gusht.

Në mbledhjen e KQZ-së u tha se deri më tani kanë pranuar tetë aplikime të subjekteve politike, prej tyre pesë iniciativa qytetare, një parti politike dhe dy kandidatë të pavarur.

Por, me kërkesë të anëtarëve të KQZ-së, Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim la tërhequr rekomandimin për certifikimin e iniciativës qytetare Lidhja e Re, subjekt të cilit do t’i propozohet të ndërrohet emri.

“E kundërshtoj regjistrimin ose certifikimin e kësaj iniciative me këtë emër, për shkak të ngjashmërisë që ka dhe tendencës së një grupimi atje që përfaqësojnë këtë iniciativë qytetare që me paraqit, me propozu, me hamendësu votuesin përmes këtij emri nën tendencën e lidhjes së re demokratike të Kosovës në atë komunë, andaj konsideroj që në përputhje edhe me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme sa u përket emrave të ngjashme apo të përafërt, kjo iniciativë nuk mund dhe nuk duhet të certifikohet me këtë emër”, ka thënë Dushi.

E subjektet që kanë aplikuar deri më tani janë: Partia politike Lëvizja Qytetare Vatra; Kandidati i pavarur Kastriot Bushi ka aplikuar për certifikim për Kryetar Komune në Kaçanik; Iniciativa Qytetare Lista Guxo ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj; Iniciativa Qytetare Lidhja e Re ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj; Kandidati i pavarur Agim Gjeli ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvendin Komunal në Fushë Kosovë; Iniciativa Qytetare Bashkë për Istogun ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Istog; Iniciativa Qytetare për Obiliq, ka aplikuar për certifikim për Kuvend Komunal dhe Kryetar të Komunës në komunën e Obiliqit dhe Iniciativa Qytetare Bashkë për Shtërpcë, ka aplikuar për certifikim për Kuvend Komunal dhe Kryetar të Komunës në komunën e Shtërpcës.