Tiketat ngjitëse përplasin ministrin Aliu me deputetin Lekaj

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se rreth kontratës për tiketat ngjitëse kanë gjetur dy raporte të auditorit brenda një muaji të vetëm, e që sipas tij njëri raport rekomandon nënshkrimin e asaj kontrate e raporti tjetër e kundërshton.

Aliu në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës u shpreh se për këtë çështje duhet të ketë hetime nga prokuroria.

“Kemi dy raporte të auditorit brenda një muaji të vetëm, është data 13.07.2020 dhe 25.08.2020. Njëri thotë duhet patjetër të nënshkruhet. Po e citoj ‘Rekomandohet menaxhmenti i lartë i Ministrisë së Infrastrukturës që sa më parë të nënshkruaj marrëveshjen për furnizim me tiketa ngjitëse me kompaninë “Auto Control Kosova” dhe jep sqarime qysh mundemi me pas pasoja. Tjetra, i njëjti auditor, madje për të njëjtin person të ministrisë jep një muaj para kësaj ka qenë një raport tjetër që thotë që nuk bën. Pra, në bazë të këtij raporti dhe në bazë të interpretimit nga Zyra ligjore e kryeministrisë asokohe është nënshkruar, kur del që ka raport tjetër, pra kur fillojmë të kuptojmë se brenda ministrisë ekziston edhe një raport tjetër një muaj përpara dhe të cilat janë bërë nga i njëjti auditor… Natyrisht për këtë duhen hetime prej kohës kur është bërë shfaqja e interesit e jo konkursi dhe ne jemi të gatshëm për bashkëpunim me auditor, prokurorinë, hetuesinë dhe i ftojmë ata që të vijnë”, tha ministri Aliu.

Ndaj ministrit Aliu ka reaguar deputeti i AAK-së Pal Lekaj, i cili tha se ai gjatë kohës sa ka qenë ministër nuk ka nënshkruar një kontratë të tillë.

“Keni dashur të ma mvishni se unë kam pasur një kontratë, gjë e cila nuk është e vërtetë dhe asnjëherë në zyrën time si ministër. Po e them para qytetarëve të Kosovës, se nuk kam pasur një kontratë të tillë, as nuk kam pasur nënshkrim. Efekti juridik fillon prej momentit që nënshkruhet kontrata dhe këtu nuk ka pasur nënshkrim të kontratës, ka pasur ofertim, por nuk ka ndodhur nga ministri”, tha ai.

Ministri Aliu u është përgjigjur edhe kritikave për nënshkrimin e kontratave një burimore nga kjo ministri.

“Të gjithë që folën e dinë për çka është fjala, e dinë që është fjala për punë shtesë, secila kontratë e ka mundësinë e punëve shtesë deri në 10 për qind. Pra, kur rruga Prishtinë-Podujevë ose rruga Prishtinë-Mitrovicë ose rruga për Brezovicë nuk përfundon asnjëherë dhe mbetet gjithherë ashtu e hapur ajo disi duhet të përmbyllet dhe është një mundësi, janë ato punët shtesë që i ka paraparë kontrata. Pra, në kontratën të cilën e keni bë në kohën sa keni qenë ju e keni lënë mundësinë me pas punë shtesë dhe kur ka mundësi të ketë punë shtesë natyrisht që me atë 10 përqindëshin e punës shtesë finalizohen punët”, tha Aliu.

Ndryshe, Ministria e Infrastrukturës në korrik ka pezulluar vendimin për tiketa ngjitëse, i cili kishte ngjallur reagime të shumta të partive e të qytetarëve, pasi e konsideronin si barrë shtesë pagesën prej 5 eurove. Tiketat ngjitëse duhej të vendoseshin në vetura pasi ato ta kalojnë kontrollin teknik.