Situata në veri, Wigemark: EULEX-i gati të asistojë së bashku me KFOR-in

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka bërë të ditur se EULEX-i është i gatshëm të asistojnë së bashku me KFOR-in për qetësimin e situatës në veri të Kosovës.

Wigermark në një postim në Twitter bën të ditur se ka takuar të hënën ka pasur një takim të dobishëm me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Takim shumë i dobishëm sot me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në lidhje me ngërçin në dy pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. EULEX-i vendosi ekipe në të dy pikat e përbashkëta kufitare javë më parë dhe është gati të ndihmojë së bashku me KFOR-in”, ka shkruar Wigemark në Twitter.

Ndryshe, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka zhvilluar një takim me zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe kryetarët e komunave të veriut për mundësinë e ndërprerjes së protestës.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media, të hënën në mbrëmje.

“Masat e miratuara, të diskutuara më parë nga Komandanti i KFOR-it me të gjitha institucionet në Kosovë dhe me Kryetarët e Komunave të Veriut, kanë për qëllim favorizimin e një përshkallëzimi të shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thotë KFOR.

Sipas njoftimit, KFOR shton se ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm në terren duke shtuar patrullat përgjatë rrugëve kryesore të trafikut të prekura nga bllokimet e rrugëve dhe duke vendosur njësitë e tij në pikat e kalimit kufitar Jarinjë dhe Bërnjak.