Presidentja Osmani dorëzon medaljen post-mortem për Beau Biden

Nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden, djalin e ndjerë te Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti do t’iu drejtohet Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë Philip S. Kosnett.

Në një njoftim të shpërndarë në rrjetet sociale nga presidentja Osmani thuhet se medalja i ndahet të ndjerit “për kontributin e tij në këtë fushë gjatë shërbimit të tij në Kosovë”

Joseph Beau Biden, i cili vdiq në moshën 46 vjeçare në vitin 2015, kishte shërbyer në Kosovë si këshilltar ligjor në vitin 2001.

Presidentja Osmani, ka thënë se medalja u kushtohet edhe shumë grave e burrave që shërbyen në Kosovë e që erdhën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kosova doli nga lufta në vitin 1999 me ndërhyrjen e NATO-s dhe nëntë vjet më pas shpalli pavarësinë e saj të mbështetur nga vende kryesore perëndimore.

Roli i Shteteve të Bashkuara në këto procese por edhe për zhvillimet e ardhshme, në Kosovë vlerësohet i pazëvendësueshëm.