Kurti në hapjen e kampit veror “Edu Camp“ 2021: Është misioni ynë të përmirësojmë sistemin tonë arsimor

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen virtuale të kampit ndërkombëtar veror “Edu Camp“ 2021, ku po marrin pjesë mbi 100 nxënëse dhe nxënës nga Gjermania, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

“Progresi që po përjetojmë sot është bërë i mundur vetëm falë dijes. E shkollat dhe universitetet janë vendi ku prodhohet dija. Pikërisht për shkak se progresi është i lidhur ngushtë me dijen, ne besojmë se e drejta për t’u shkolluar është universale dhe si e tillë duhet t’u garantohet të gjithëve pa dallim. Prandaj edhe kemi marrë vendimin që edukimi publik në Kosovë në të gjitha nivelet të jetë falas,” tha në hapje kryeministri Kurti.

Duke falënderuar organizatorët, mësuesit dhe ligjëruesit nga Kosova dhe Gjermania, kryeministri vlerësoi programet si ky kamp, pasi ndihmojnë të rinjtë të zhvillohen jo vetëm si individë, por edhe ta kuptojmë rolin në shoqëri.

“Është misioni ynë që së bashku të përmirësojmë vazhdimisht sistemin tonë arsimor, të ofrojmë mbështetje aktive dhe të krijojmë të gjitha kushtet në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të arrijnë potencialin e tyre të plotë, “ tha Kurti.

Fjalimi i Kryeministrit Albin Kurti në hapjen e kampit veror “Edu Camp“ 2021:

Më lejoni të filloj këtë fjalim me një citim nga laureati i Çmimit Nobel në Fizikë, Serge Horoche: “Pasuria e një vendi vjen nga mendjet e njerëzve të tij”.

Rëndësia e arsimit nuk guxon të nënvlerësohet. Andaj jam i kënaqur, të dashur pjesëmarrës, që sot të hap kampin e parë ndërkombëtar veror me mbi 100 nxënëse dhe nxënës nga Gjermania, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Në periudhën pas pavarësisë së Kosovës, nuk ka pasur kurrë një shkëmbim të tillë rinor në të cilin të rinjtë nga vendet fqinje të Kosovës kanë punuar së bashku me të rinjtë nga Gjermania në punëtori të tilla. Një veçanti tjetër është bashkëpunimi në gjuhën gjermane, që cilësohet si gjuha e poetëve dhe mendimtarëve.

Unë e shikova programin e punëtorive dhe mendoj se përzgjedhja e temave të leksioneve është e shkëlqyeshme, për çka falënderoj organizatën Education Unlimited dhe të gjithë mbështetësit e saj. E di se drejtorët e shkollave pjesëmarrëse kanë pasur shumë pengesa për shkak të pandemisë për ta zhvilluar ketë program, por në mënyrë që nxënëset të marrin pjesë në këtë kamp veror ata punuan për orë të tëra për t’ia siguruar nxënësve të tyre këtë eksperiencë.

Si progresist, unë besoj në zhvillimin njerëzor dhe besoj gjithashtu se zhvillimi teknologjik gjithmonë duhet të ecë në hapa sikurse ai njerëzor. Programet si ky na ndihmojnë të zhvillohemi jo vetëm si individë por ta kuptojmë edhe rolin tonë në shoqëri. Pengesat dhe konfliktet e përditshme mund të lehtësohen e tejkalohen më lehtë kur mësojmë më shumë për njëri-tjetrin por edhe kur kalojmë kohë së bashku.

Temat e këtij kampi veror premtojnë të nxisin pjesëmarrësit të mendojnë dhe të diskutojnë për vlerat e përbashkëta në mënyrë që së bashku të kërkojmë përgjigje mbi pyetjet thelbësore.

Kështu që mezi pres t’i dëgjoj rezultatet nga ligjëratat mbi rolin e vajzave dhe grave në shoqërinë tonë: mendoj se sistemi ynë, nëse do të ishte formuar nga gratë, do të ishte më i drejtë.

Ne në Kosovë jemi të bekuar me shumë mendje të reja dhe të ndritura të cilat, nëse inkurajohen dhe sfidohen siç duhet, mund të arrijnë gjëra të mëdha jo vetëm për veten e tyre, por për të gjithë shoqërinë.

Progresi që po përjetojmë sot është bërë i mundur vetëm falë dijes. E shkollat dhe universitetet janë vendi ku prodhohet dija. Pikërisht për shkak se progresi është i lidhur ngushtë me dijen, ne besojmë se e drejta për t’u shkolluar është universale dhe si e tillë duhet t’u garantohet të gjithëve pa dallim. Prandaj edhe kemi marrë vendimin që edukimi publik në Kosovë në të gjitha nivelet të jetë falas.

Shteti është krijuar pikërisht për këtë arsye. Që të bëjë të mundur atë që ne individualisht nuk mund të bëjmë. Të garantojë që secili, pavarësisht se ku ka lindur dhe sa fiton, merr edukimin kualitativ që i duhet për të realizuar potencialin e tij.

Pra, edukimi do jetë falas, por jemi gjithashtu të angazhuar të reformojmë shkollimin dhe trajnimin dual për gjithë ata të rinj që duan të mësojnë një zanat, jo vetëm në teori por edhe në praktikë.

Është misioni ynë që së bashku të përmirësojmë vazhdimisht sistemin tonë arsimor, të ofrojmë mbështetje aktive dhe të krijojmë të gjitha kushtet në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të arrijnë potencialin e tyre të plotë.

Falënderoj të gjithë ata që janë të angazhuar për mirëvajtjen e këtij kampi veror: Dashuria juaj për dijen dhe shkencën do të thotë dashuri për njerëzimin dhe zhvillimi.