Lajçak ndalet pak në Merdare, ia merr meritat SHBA-ve për bashkimin e stafit kosovar dhe serb në një objekt

Ai sot është ndalur në pikën kufitare të Merdares, ku ka vizituar objektin e kontrollës në të cilin janë të stacionuar edhe pala serbe edhe ajo kosovare, shkruan lajmi.net.

Ndonëse funksionalizimi në këtë formë i kësaj pike, ishte shtyer me marrëveshjen e Uashingtonit më 4 shtator, Lajçak ka thënë se kjo është një arritje e BE-së, qysh nga viti 2011 në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Rrugës për në Beograd, jam krenar që vizitoj ambientet e pikës së kalimit të përbashkët Merdare të ndërtuara nga BE me 4.6 milion euro, dhe që tani përdoret plotësisht nga të dy palët siç është rënë dakord në Dialog në vitin 2011”, ka shkruar Lajçak.

 

Hiç më larg se dje, ishte zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Amerikan, Morgan Ortagus, që këtë bashkëpunim mes palës serbe dhe asaj kosovare e cilësoi në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së 4 shtatorit të arritur në Uashington.

“Ne e përshëndesim dakordimin e Serbisë për punonjësit e Merdares dhe angazhimet e Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve të bëra në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator. Rrjedha e sigurt dhe efikase e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve do të hapë dyert për rritjen e prosperitetit dhe stabilitetit në Serbi dhe Kosovë”, shkruante ajo dje. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

DASH-i i “duartroket” bashkëpunimit Kosovë-Serbi në Merdare