Kuvendi e filloi seancën e 71-të, VMRO-DPMNE me pankarta për bllokadën e paralajmëruar

Shkup, 10 maj– Me gati dy orë vonesë ka nisur sot në Kuvend seanca e 71-të plenare, me deputetët e opozitës, ndonëse kanë paralajmëruar bllokim të punës së legjislativit.

Koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicioni “Për rindërtim të Maqedonisë” Micevski proceduralisht tha se seanca e sotme është caktuar për në orën 11:00 dhe theksoi se është vonuar për një orë e 40 minuta ose rreth dy orë.

“Nuk ju duhet bllokadë aktive, po bllokoheni vetë”, tha Micevski duke iu drejtuar deputetëve të qeverisë. Ai ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, siç tha ai, që t’u japë vërejtje atyre që nuk janë të pranishëm në sallë, si dhe gjysmës së Qeverisë që nuk është këtu.

“Ju jeni bllokada e shtetit, jeni ju që pengoni punën e kësaj shtëpie parlamentare. Bllokada aktive e propozuar nga deputetët e VMRO-DPMNE-së është për shpëtim nga një katastrofë kombëtare dhe për këtë kërkojmë zgjedhje që janë rrugëdalje nga kjo krizë që po e prodhoni ju”, tha Micevski. Ai shtoi se populli kërkon ose bllokadë aktive për të shpëtuar nga një katastrofë kombëtare, për të shpëtuar nga poshtërimi që bëni, për të shpëtuar nga hipokrizia që bëni çdo ditë ndaj qytetarëve, për të shpëtuar ekonominë, energjinë, fermerët dhe të gjithë qytetarët. …

Micevski u bëri thirrje të gjithëve që të vijnë me kohë në seancë dhe paralajmëroi se do të jenë aktivisht të pranishëm.

Pas fjalimit procedural të Micevskit, deputetët e VMRO-DPMNE-së u ndalën para kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi me pankartë “Bllokadë aktive për shpëtim kombëtar” pas së cilës ai u bëri thirrje të ulen në vendet e tyre.

Xhaferi ka rikujtuar Rregulloren e Kuvendit dhe obligimet e deputetëve për të marrë pjesë, ndërsa sa i përket pankartës së deputetëve të VMRO-DPMNE-së përkujtoi Raportin e fundit të Parlamentit Evropian, përkatësisht Komisionin për Politikë të Jashtme të PE-së që e kanë marrë ditë më parë.  Xhaferi lexoi disa pjesë nga raporti dhe tha se do t’u shpërndahet deputetëve.

Bllokada aktive, sipas paralajmërimeve të opozitës, do të zgjasë deri në arritjen e marrëveshjes për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Vendimi për bllokim është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së më 4 maj dhe nënkupton “pengim të ligjeve dhe politikave të dëmshme”. Bllokada aktive, thonë ata, është kërkesë e qytetarëve, sepse sipas tyre LSDM ka krijuar krizë dhe varfëri.

Nga opozita kërkojnë takim liderësh, por kryeministri Dimitar Kovaçevski e refuzoi një kërkesë të tillë, duke theksuar se takim i bazuar në kërcënime dhe shantazhe nuk do të mbahet. Nëse mbahet një takim liderësh,  sipas Kovaçevskit, atëherë do të diskutohen çështje që janë strategjike dhe që nënkuptojnë jetë më të mirë për qytetarët.

Për shumicën parlamentare, lëvizja e opozitës për të bllokuar punën e Kuvendit është për qëllime politike dhe do të dëmtojë vetëm qytetarët dhe kompanitë. Nga LSDM-ja sot kërkuan që të heqin dorë nga të gjitha privilegjet, të dorëzojnë rrogat dhe të ndalin përdorimin e telefonave zyrtarë, udhëtimeve dhe çdo gjë që u takon.

Në rend dite të seancës së sotme janë disa projektligje, kryesisht në fushën e financave dhe të mbrojtjes. Deputetët përballen edhe me disa projektvendime, si dhe me raporte vjetore për punën e agjencive shtetërore, komisioneve, RTVM-së dhe Këshillit Gjyqësor. Do të shqyrtohet edhe Raporti Vjetor i Avokatit të Popullit për nivelin e garantimit të respektimit, promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut në vitin 2021. /Zhurnal.mk