Kurti: Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje është katërfishuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën përmbyllëse të Javës së Gruas, e organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me mbështetjen e USAID-it, ku theksoi rëndësinë e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti citoi thënien e famshme “Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut”, duke shtuar se shpesh të qenit grua përbën rrezik në vetvete. Ai tha se mbrojtja e të drejtave të grave lidhet me mbrojtjen e të drejtave të të gjithë shoqërisë.

Kurti nënvizoi se në Kosovë pabarazia gjinore është e thelluar nga mungesa e qasjes ekonomike dhe barrierat e tjera që shtypin gratë. Sipas tij, asnjë qeveri nuk mund të konsiderohet gjithëpërfshirëse nëse nuk adreson barazinë gjinore.

Kryeministri përmendi disa masa që qeveria e tij ka ndërmarrë për të përmirësuar gjendjen e grave në vend, duke përfshirë shtesat për 60 mijë nëna lehona dhe për 400 mijë fëmijë nën moshën 16 vjeçe. Ai gjithashtu vuri në pah rëndësinë e bursave për vajzat dhe gratë në fushat STEM dhe punësimin e 12 mijë grave përmes platformës “Superpuna”.

Kurti theksoi gjithashtu rritjen e përfaqësimit të grave në pozita vendimmarrëse, veçanërisht në ndërmarrjet publike, ku pjesëmarrja e tyre është katërfishuar nga 10% në afër 45%.

Ai përmendi reformat ligjore të ndërmarra nga qeveria, veçanërisht për dhunën në familje dhe dhunën seksuale, duke përfshirë ndihmën juridike falas për viktimat dhe rritjen e buxhetit për strehimoret dhe organizatat që ofrojnë shërbime sociale.

Kurti përfundoi duke bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet shtetit dhe shoqërisë për të krijuar një solidaritet gjinor dhe një aktivizëm publik e politik më të fortë.