Kur keni ardhur, sa do të rrini, kur do të shkoni?

në kategorine Diaspora

Përgatitjet i fillojnë disa muaj para se të nisen për në Kosovë. Pyetjet e këtushme më të shpeshta janë: kur po niseni, nga po ia mbani: nëpërmjet Italisë, po shkoni nëpër Serbi? Cila rrugë ishte më e ngarkuar?…

E Shtunë, 3 Gusht 2019 – 15:10
Sevdail Tahiri

Të gjitha rrugët çojnë në Kosovë. Asgjë nuk i dekurajon mërgimtarët, as pritjet e gjata  e as kilometrat, madje as thirrjet, që të mos e zgjedhin rrugën drejt vendlindjes që kalon nëpër Serbi. I tejkalojnë mundimshëm të gjitha rrugët, qoftë me veturë, autobus apo aeroplan, në mënyrë që pushimet t’i kalojnë me familjarët e tyre.
Por jo vetëm për të pushuar. Ata me këtë rrugë sjellin në vendlindje edhe kursimet e tyre, duke i derdhur nëpër dasma, ahengje, në ndërtim të shtëpive, bizneseve etj.
Këto të hyra nuk arrin t’i regjistrojë as Banka Qendrore e Kosovës, kur publikon raportet e remitencave që vijnë nga mërgimtarët. Por për këtë flasin vet bizneset, restorantet, shitoret, që me sinqeritet pranojnë se vetëm një vit po të mungojë diaspora, do të falimentonin.
Edhe pse po vijnë në shtëpi të tyre, në vendin që në pjesën më të madhe është ndërtuar nga ta, mërgimtarët shpesh duhet të përgjigjen nga familjarët, miqtë dhe shokët në pyetjet: Kur keni ardhur, sa do të rrini, kur do të shkoni?
Ardhja e tyre bëhet e ditur nëpër rrugë me makina luksoze, duke i mbushur makinat me karburantet e vendit duke i bllokuar tavolinat e mëdha me familjarë, duke i dhënë gjallëri Kosovës.
Mjaft më me pyetjet: kur keni ardhur? Ata vijnë kur të duan në shtëpitë  e tyre. Derën e hapur e kanë gjithmonë në çdo kohë… Mjaft me pyetjet: sa do të rrini! Ata qëndrojnë sa të duan!
Askush nuk i pyet se si erdhën, sa u maltretuan rrugëve, sa pritën, sa orë kaluan rrugë?
Duke qenë gjithmonë në shërbim të diasporës, albinfo.ch me anë të këtij numri special, ka mbledhur informata, është përpjekur të japë një pasqyrë për alternativat e tjera të udhëtimit për në vendlindje, pos atij me aeroplan.
Janë informata që nuk duhet të neglizhohen, sidomos kur të udhëtoni me veturë. Rreth 2 mijë kilometra nuk janë pak duke kaluar nëpër disa shtete që aplikojnë rregulla të ndryshme në trafik.
Udhëzimet e paraqitura në këtë numër të albinfo.ch do të ju shërbejnë sa herë që merrni rrugë për në vendlindje.
Duke ju uruar ngasje të këndshme, pa pritje të gjata e pa ndonjë komplikim tjetër gjatë udhëtimit, ne vetëm ju themi: RRUGË TË MBARË PËR NË VENDLINDJE.
Lexim të këndshëm!
 

Burimi: https://www.albinfo.ch

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.