Kundër HEC-it në Skavicë/ Banorët: Është punuar fshehurazi

Një grup banorësh dhe aktivistësh për mbrojtjen e luginës së Drinit të Zi udhëtuan drejt fshatit Skavicë, në njësinë administrative Ujmisht në Kukës.

Pikërisht aty ku do të ndërtohet edhe diga e Hidrocentralit me basenin më të madh ujëmbledhës mbi lumin Drin.

Kryetari i shoqatës për mbrojtjen e Drinit të Zi u shpreh se qeveria ka vijuar punimet për hartimin e projektit në fshehtësi të plotë. Prej dy vitesh sipas tij, në zonë kanë punuar dy sonda dhe tani janë larguar pasi kanë përfunduar punë.

Banorët e zonës tregojnë se në dy shpatet shkëmbore ku do ndërtohet diga kanë përfunduar të gjitha punimet teknike gjeologjike. Ata pretendojnë se një digë në lartësinë 443 metra do të permbyt jo 8 mijë hektarë siç parashikohet zyrtarisht, por rreth 12 mijë hektarë toka , 34 fshatra dhe rreth 15 mijë banorë.

Historianët dhe studiuesit Haki Përnezha dhe Hysen Uka ndajnë mendime të kundërta por i bashkon opinioni se duhet te pyetet edhe komuniteti.

Projekti i HEC-it të Skavicës u prezantua në fillim të muajit nga kryeministri Rama i cili tha se punimet nisin vitin e ardhshëm, me financim 100% nga shteti.