Kumanovë, shqetësuese, fëmijët lypsarë nëpër rrugë

Kumanovë, 2 janar – Kohëve të fundit është bërë shqetësuese prezenca e fëmijëve lypsarë nëpër rrugët kryesore të qytetit të Kumanovës. Fëmijët lypsarë kryesisht qëndrojnë nëpër udhëkryqet e qytetit, nëpër kafiteri, si dhe objekte të tjera hotelerike, por edhe tek pikë pagesa e taksës rrugore në Rramanli, si dhe në pikëkalimin kufitar, Tabanocë. Përpos fëmijëve të mitur regjistrohen edhe gra të reja me foshnja në duar. Në këtë mënyrë, ata u rezistojnë edhe motit të ftohtë dhe të nxehtë.

“Çdo kush që dëshiron të punojë, mund të gjej punë dhe të mos i ekspozojë fëmijët e vet në gjendje të këtillë stresi. Ata fëmijë duhet të jenë në sistemin arsimor. Nëse mundet komuna disi të ndihmojë rreth punësimit të prindërve të tyre, kurse pjesa tjetër i takon ligjit dhe sistemit.”, – tha mes tjerash kryesuesja e këshillit të Kumanovës, Ivana Gjeorgjievska.

Nga Qendra për punë sociale në Kumanovë theksojnë se për momentin kryhet mbikëqyrje e kryerjes së të drejtës së prindit ndaj 15 fëmijëve të cilët janë gjetur në rrugë. Për këtë janë vizituar familjet e tyre dhe u janë dorëzuar qortimet.

“Qendra për punë sociale në Kumanovë kryen mbikëqyrjen gjashtë mujore familjare, për të konstatuar se a ka ndryshim në sjelljet e tyre dhe se a dalin sërish në rrugë. Në rast se sërish gjenden në rrugë, atëherë u merret e drejta e prindit dhe e dërgojmë kërkesën në gjyq.”, – na njoftoi Elizabeta Andellovska nga Qendra për punë sociale në Kumanovë.

Nga kjo qendër potencojnë nevojën e ngritjes së ndërgjegjes, përmes ndarjes së materialit sensibilizues, si vozitësve po ashtu edhe këmbësorëve, sepse duke i dhënë ndokujt para nuk do të thotë se po e ndihmon, por përkundrazi sërish e rikthen në rrugë theksojnë punëtorët social.