Kryetari i Suharekës dorëlirë: I jep tenderë bashkëpartikaut të tij, duke shkelur ligjin

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dega në Suharekë, ka bërë të ditur se qeverisja e Bali Muharremaj, ka shpërblyer me tender bashkëpartiakun e tij, Visa Kuçi. Sipas tyre kjo qeverisje ka shkelur ligjin e Prokurimit Publik, Rregulloren dhe Udhëzuesin Operativ të Prokurimit Publik dhe vendimin e OSHP’së.

Me anë të një njoftimi për media, dega e LDK’së në Suharekë ka reaguar për një shkelje që është bërë nga qeverisja e Bali Muharremaj.

Në Suharekë qeverisja e udhëhequr nga AAK, për të shpërblyer me tender bashkëpartiakun e tyre, kanë shkelur ligjin e Prokurimit Publik, Rregulloren dhe Udhëzuesin Operativ të Prokurimit Publik dhe vendimin e OSHP’së.

Me datë 13 gusht 2020 Komuna e Suharekës kishte njoftuar për vendim në lidhje me procedurën e prokurimit me titull “Projekt me Bashkëfinancim-Ndertimi i shtegut të ecjes në Suharekë dhe 10 parqëve në fshatrat e Komunës së Suharekës” ku ka propozuar për kontratë Operatorin Ekonomik që po rezulton të jetë bashkëpartiak i kryetarit Muharremaj, Visar Kuçi.

Muharremaj dhe ky i fundi posedojnë edhe fotografi së bashku, madje edhe në zyre të AAK’së në degën e Suharekës.

Mirëpo pas ankesave me datë 28 shtator, Organi Shqyrtues i Prokurimit merr vendim që lënda ku fitues është Kuçi, të kthehet në rivlerësim pasi që ishin gjetur disa shkelje në nene të Ligjit të Prokurimit Publik.

Por, pas kësaj Komuna e Suharekës me datë 9 tetor përsëri propozon kontratë për Visar Kuçin, bashkëpartiakun e kryetarit Muharremaj edhe pse për të njëjtin Operatori Ekonomik Organi Shqyrtues i Prokurimit ka gjetur shkelje ligjore dhe ka vendosur që lënda të kthehet në rivlerësim.

Më poshtë keni dokumentet e publikuar nga LDK në Suharekë.

Ndërkaq kujtojmë media kishte raportuar edhe disa herë për bashkëpartiakun e Muharremaj, Visar Kuçi.

Kuçi i cili është anëtarë i AAK’së, në vitin 2019 ishte në top 10’shën e përfituesve të projekteve të shpallura nga Komuna e Suharekës.