Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku uron festën e Fitër Bajramit, apelon për kujdes për shkak të pandemisë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka uruar besimarët mysliman për Festën e Fiter Bajramit.

Abdixhiku ka thënë se për shkak të pandemisë duhet kujdes i shtuar që ta ruajmë njeri-tjetrin.

Telegrami i urimit :

Të nderuar qytetarë të besimit islam,

Festa e Fitër Bajramit kulmon pas një muaji sakrifice, i cili synon rritjen e mirëkuptimit dhe ndjenjës së dhembshurisë dhe të bamirësisë për ata që kanë nevojë për ndihmë dhe solidaritet.

Të gjithë besimtarët e përmbyllën Muajin e shenjtë të Ramazanit me bindjen se veprat e mira dhe sakrifica personale na kanë afruar me njëri-tjetrin, jo vetëm këtu, por, kudo në botë.

Të gjithë besimtarëve islam ua uroj festën e Fitër Bajramit me dëshirën për agjërim dhe lutje të pranuara, për shëndet dhe mbarësi në familjet e shtëpitë tuaja.

Në këto kohëra të vështira për shkak të pandemisë, ta shtojmë kujdesin dhe lutjet për njëri tjetrin për ta tejkaluar këtë sfidë sa më lehtë e sa më shpejt që t’i kthehemi normalitetit.