Kryetari i komunës tregon se si po ballafaqohet me COVID- 19

Kryetar i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, qysh para 8 ditësh ka njoftuar se e ka bërë testin për COVID- 19 dhe ka rezultuar pozitiv.

Njoftimin se është prekur nga sëmundja, COVID 19, që shkakton koronavirusi e bëri vetë Kastrati, i cili u bëri thirrje banorëve të Kamenicës që të jenë të kujdesshëm.

Kastrati ka tregon që ka pasur kontakt me një koleg nga Prishtina, i cili pas testimit ka dalë pozitiv dhe kur e ka kuptuar menjëherë është vetizoluar.

“Kam pasur kontakt me një koleg nga Prishtina dhe ai ka rezultuar pozitiv me COVID- 19. Në momentin që e kam kuptuar që ai e ka bërë testin jam vetizoluar dhe e kam bërë testin”, ka thënë ai.

E pas kalimit të një jave, respektivisht 8 dite nga infektimi me koronavirus, kryetari Qëndron Kastrati në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka treguar për gjendjen e tij shëndetësore.

“Po bëhen 10 ditë prej që jam vetizoluar dhe nuk kam asnjë simptomë, jam shumë mirë”, ka thënë ai.

Kastrati gjithashtu ka dhënë detaje edhe rreth ballafaqimit me COVID- 19 dhe  përditshmërisë që ka këtyre ditëve në vetizolim.

“Edhe pse jam i infektuar me COVID- 19, po punoj prej shtëpisë. Për shkak të zhvillimit të teknologjisë po marrë pjesë online në mbledhjet e komunës dhe po i kryej detyrat e mia”, ka thënë Kastrati.

Aktualisht në Komunën e Kamenicës vetëm Qëndron Kastrati është rast aktiv, ndërsa po priten edhe rezultatet e disa personave që kanë pasur kontakt me të.

“Në Kamenicë vetëm unë jam rast aktiv, ndërsa jemi në pritje të disa rezultateve të personave që kanë pasur kontakt me mua”, ka thënë kryetari i Kamenicës.

Kastrati për FaktePlus ka thënë që nga Kamenica nuk ka pasur asnjë të vdekur si pasojë e infektimit me koronavirus.

“Fatmirësisht nga komuna e Kamenicës nuk ka asnjë të vdekur nga koronavirusi”, ka thënë ai.