Kryeredaktori që publikoi dokumentin për ndryshim kufijsh: Brukseli e konfirmoi se e kanë marrë nga Jansha

Kryeredaktori i gazetës sllovene Ne Cenzurirano, Primoz Cirman që publikoi ‘non-paperin’ për ndryshim kufijsh ka thënë se Brukseli e konfirmoi se e kanë marrë dokumentin e kryeministrit slloven Janez Jansha.

Cirman në një intervistë për ‘Albanian Post” , ka thënë se Brukseli nuk mund ta mohojë se e kanë marrë letrën.

“Kur lajmi shpërtheu të hënën, kolegu ynë nga gazeta “Dela” korrespondent i Brukselit, pyeti zyrën Michael dhe zyra së pari konfirmoi se e kishte marrë dokumentin që flet për shpërbërjen e Bosnjë dhe Hercegovinës, por gjysmë orë më vonë e njëjta zyrë thirri e gazetarin e Dela dhe thanë se nuk mund ta mohojnë, por as ta konfirmojnë se e kanë marrë letrën”, tha Primoz Cirman, kryeredaktor në këtë gazetë.

Cirman shprehet i pakënaqur që qeveria sllovene është bërë pjesë e këtij plani.

“Personalisht mendoj se Sllovenia nuk duhet të përfshihet, por frikësohem se tashmë veç është përfshirë dhe pasojat do të mund ti shohim në të ardhmen”.
E gjithë historia e ri-dizajnimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor u rikthye në vëmendje kur disa media rajonale publikuan një letër me pika konkrete për ta realizuar planin e ri-rregullimit territorial.

Dokumenti shpaloste një plan për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Bashkimin e një pjese të madhe të Republikës Serbe të Bosnjës me territorin e Serbisë. Zgjidhjen e çështjes kombëtare të Kroacisë me dy opsione dhe krijimin e një shteti funksional boshnjak.

Për dokumentin që gjatë gjithë javës së kaluar u përfol në mediat ballkanike, kanë folur shumica e liderëve rajonal.

Meqë dokumenti ka qenë në formë jo zyrtare, prononcimet e tyre kanë ardhur të rezervuara dhe një pjesë kanë shfaqur mosbesim.

Në Kosovë nuk janë prononcuar as kryeministri Albin Kurti dhe as presidentja Vjosa Osmani.