Kovaçevski: Strategjia jonë është të tërheqim investime dhe kompani që ofrojnë punë të paguara
Shkup, 1 mars – Kryeministri Dimitar Kovaçevski pasdite në Fejsbuk ka ftuar investitorët publik dhe privat të shfrytëzojnë potencialin e vendit në fusha siç janë zhvillimi i ekonomisë së gjelbër, digjitalizimi, inovacioni dhe teknologjia, kapitali njerëzor dhe zhvillimi i infrastrukturës dhe porositi se strategjia jonë është të tërheqim investime dhe kompani që ofrojnë punë të paguara.
“Strategjia jonë është të tërheqim investime dhe kompani që ofrojnë punë të paguara mirë në degët premtuese të industrisë. Ftova investitorët publikë dhe privatë që të përdorin potencialin e vendit në fusha siç janë zhvillimi i ekonomisë së gjelbër, digjitalizimi, inovacioni dhe teknologjia, kapitali njerëzor dhe zhvillimi i infrastrukturës. Këto janë fushat që janë pjesë e planit të Qeverisë për rritje dhe zhvillim ekonomik dhe fokusi ynë është tërheqja e investimeve në këta sektorë”, shkroi Kovaçevski në Fejsbuk.
Nga shërbimi për shtyp i Qeverisë, dërguan video deklaratë të kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski ku e vlerësoi pjesëmarrjen e delegacionit qeveritar në Samitin e Investimeve të BERZH-it për Ballkanin Perëndimor në Londër.
“Në Samitin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Londër, i prezantova mundësitë dhe përparësitë të cilat si vend i ofrojmë për investitorët e huaj dhe të vendit. Maqedonia e Veriut ka programe shumë të zhvilluara për mbështetjen e investitorëve që janë vlerësuar në mënyrë pozitive në të gjitha takimet që kam realizuar. Njëkohësisht, me politika të mira ruajmë një gjendje të qëndrueshme makroekonomike dhe borxh publik që është nën nivelin e vendeve të rajonit. Kemi një rënie të vazhdueshme të shkallës së papunësisë, ndërsa ekonomia u tregua rezistuese ndaj krizës së fortë ekonomike, që është e rëndësishme për investitorët potencialë”, thotë Kovaçevski në video deklaratë.
Në takimet në Londër, siç thotë në video deklaratë, fokusi kryesor i kësaj Qeverie është zhvillimi i ekonomisë së vendit dhe ngritja e standardit të jetesës së qytetarëve.
“Maqedonia e Veriut nuk duhet të jetë një vend ku do të do të investohet për shkak të fuqisë së lirë punëtore, por për shkak të cilësisë së punëtorëve dhe klimës së favorshme afariste. Investitorët investojnë në vende të sigurta. Si anëtare e NATO-s, siguria dhe stabiliteti i Maqedonisë së Veriut janë të garantuara, dhe kështu kushtet për tërheqjen e investimeve të huaja janë të mira”, thotë Kovaçevski.
Ai thekson se në Londër ka prezantuar edhe planin ambicioz të Qeverisë për tranzicionin energjetik, jashtëzakonisht i rëndësishëm në një kohë krize globale energjetike.
“Tranzicioni energjetik do të sigurojë siguri dhe pavarësi në furnizimin me burime energjetike, do të rrisë prodhimin vendas me fokus në burimet e rinovueshme të energjisë. Sfidat janë të mëdha, por përmes strategjisë së vendosur mirë për përballimin e krizës, besoj shumë se do t’i tejkalojmë”, thekson Kovaçevski përmes video deklaratës.

