Kovaçevski: Mos pritni zgjedhje të parakohshme
Shkup, 31 tetor – Kryeministri Dimitar Kovaçevski i pyetur nga gazetari që të komentojë deklaratën e liderit të Lidhjes Demokratike Pavle Trajanov se është për zgjedhje të parakohshme në prill ose maj të vitit të ardhshëm, përsëriti se zgjedhjet do të mbahen në mandatin e rregullt në vitin 2024 dhe se prioritet duhet t’i jepet përballjes me krizën ekonomike dhe energjetike.
“E kam thënë disa herë se zgjedhjet do të mbahen në mandatin e rregullt në vitin 2024. Në këtë moment shteti po përballet me një krizë të madhe ekonomike dhe energjetike, por para nesh është edhe procesi i skriningut me BE-në, kështu që të gjitha resurset e shtetit dhe të gjitha kapacitetet, në Kuvend, në Qeveri, por edhe jashtë tyre, akademia, organizatat joqeveritare, të gjithë duhet të jemi të fokusuar dhe të drejtojmë energjinë tonë drejt përfundimit sa më të shpejtë të fazës së skriningut dhe drejt përballimit më të mirë të krizës energjetike dhe ekonomike në interes të qytetarëve. Pra, në këtë moment zgjedhjet nuk janë prioritet, tha Kovaçevski.
Kryeministri Kovaçevski sot vizitoi Komunën e Dellçevës, ku së bashku me ministrin e Mjedisit jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini mbajti fjalim në manifestimin me rastin e fillimit të ndërtimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Dellçevë. Kovaçevski do të vizitojë edhe fabrikën për përpunimin e drurit Alpin.com, pas së cilës do të inspektojë projektin për rindërtimin e rrjetit të ujësjellësit në në vendbanimin Dellçevë.