Komitova: Gjendja e rrugës nuk ishte shkak për aksidentimin e autobusit, ka dyshime për zjarrin

Shkup, 30 nëntor – Ministrja për Zhvillim Rajonal dhe Punë Publike të Bullgarisë, Violeta Komitova deklaroi se arsyeja për aksidentin e autobusit të “Besa Transit” nuk ka qenë shpejtësia e madhe.

“Këtu është një ngjarje e çuditshme – zjarr, që për mendimin tim është arsyeja kryesore për viktimat”, tha Komitova, duke shtuar se për momentin nuk ka asnjë shpjegim se ç’farë e shkaktoi zjarrin.

Ajo në brifing deklaroi se deri sot në rrugën ku ndodhi aksidenti nuk kanë përfunduar procedurat për shpronësim. ” Ndërtuesit kanë ndërtuar në tokë të huaj”, deklaroi Komitova.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Sofja, raporti i përgatitur për gjendjen në rrugë edhe njëherë konfirmon se nuk bëhet fjalë për autostradë, por për rrugë eksprese. Komitova tha se nuk mund të vërtetohet se shpejtësia e lejuar e qarkullimit prej 120 kilometra në orë është arsyeja kryesore për aksidentin.

Deri në datën e aksidentit, ka përfunduar shënimi vetëm i linjës qendrore, me vonesë prej rreth gjashtë muaj. Shënimi i kësaj pjese rrugore dhe vendosja e shenjave u është ndarë dy firmave me pronar të njejtë. Të dy kompanitë duhej ta vendosin edhe sinjalizimin. Në vitin 2013 ata e kanë vendosur shenjën për shpejtësi të lejuar prej 120 kilometra në orë, ndërsa bankina, e cila është vendosur në vitin 2007, i ka plotësuar kërkesat, por nga viti 2021, sipas Komitovës, ka rregulla të reja.