Koment: Kush duhet të futet në “listën e zezë” amerikane pas Dodikut – Vuçiqi, Daçiqi, apo të dy bashkë?
Pa ndihmën e Vuçiq dhe Daçiq, Dodik vështirë se mund të ekzistonte në skenën politike, së paku në këtë formë radikale siç ekziston sot. Ai nuk mund të ishte kurrfarë rreziku as për Bosnjën e as për rajonin, nëse nuk do të kishte lidhje të fuqishme me krerët serbë në Beograd. E njëjta mund të thuhet edhe për “anëtarët” më të rinj të “listës së zezë” nga Veriu i Kosovës. Sepse përmes mentorëve në Beograd, ata sigurojnë përkrahjen nga Moska dhe nga kjo lidhje duket se buron “forca” e tyre për të qenë faktor destabiliteti
Shkup, 7 janar – Futja e luftënxitësit Millorad Dodik, në “listën e zezë” amerikane është një vendim shumë domethënës i uashingotnit. Ky vendim, që “nxin” presidentin e Republika Srprska, nuk ka peshë vetëm për Bosnje e Hercegovinën, por edhe për tërë rajonin tonë. Njeriu që po mundohet të rihapë plagët e luftës, aty ku ishin më të përgjakshme gjatë shpërbërjes së ish Jugosllavisë, mori një “shuplakë” paksa të vonuar, por plotësisht të merituar. Shuplakë që me siguri ia ka esulluar mendjen dhe vëmendjen, si duket ende të preokupuar me planet shfarësosëse të Millosheviqit, Karaxhiqit e Mlladiqit.
Sado që në reagimet e ti tentoi të tregoet paksa ironik, e paksa ofendues ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shihej qartë se “goditja” ka qenë e fuqishme dhe precize. Poashtu edhe “goditje” paralajëmruese se çka mund të pasojë, nëse në shekullin 21 mundohet të rezonojë si në fundshekullin e përgjakur 20. Nëse ka nxjerrë mësim nga kjo “goditje mirë, nëse jo, keq për të.
Edhe më e rëndëishme ishte se futja e Dodikut në “listën e zezë” amerikane erdhi pak kohë pasi në këtë listë u futën edhe politikanë dhe biznesmenë serbë nga veriu i Kosovës, në mesin e të cilëve nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiqin, biznesmenët nga veriu i Kosovës, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviqin, si dhe Srgjan Vulloviqin, Zhelko dhe Andrija Bojiqin dhe Radulle Steviqin.
Sipas vendimit që u bë i ditur para një muaji, këta persona janë identifikuar si të lidhur me skema të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.
Sa është me rëndësi të shihet se si do të reagojë Dodiku dhe politikanët serbë në Kosovë, pas “anëtarësimit” në “listën e zezë” amerikane, po aq me rëndësi është të shihet se si do të reagojnë mentorët e tyre në Beograd. Të gjithë e dinë, dhe nuk është kurrfarë sekretei, se Dodik, Radojçiq, Veselinoviq, e të tjerët, veprimet e tyre i bëjnë në koordinim të plotë me dy figurat më të fuqishme për momentin në Beograd, presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe ish ministrin e brendshëm, tani kryetar Kuvendi, Ivica Daçiç. Të dy janë ish bashkëpunëtorë të diktatorit dhe kriminelit me duar të përgjakura, Sllobodan Millosheviq, si dhe kriminelit tjetër të dënuar nga Tribunali i Hagës, Voisllav Sheshel.
Pa ndihmën e Vuçiq dhe Daçiq, Dodik vështirë se mund të ekzistonte në skenën politike, së paku në këtë formë radikale siç ekziston sot. Ai nuk mund të ishte kurrfarë rreziku as për Bosnjën e as për rajonin, nëse nuk do të kishte lidhje të fuqishme me krerët serbë në Beograd. E njëjta mund të thuhet edhe për “anëtarët” më të rinj të “listës së zezë” nga Veriu i Kosovës. Sepse përmes mentorëve në Beograd, ata sigurojnë përkrahjen nga Moska dhe nga kjo lidhje duket se buron “forca” e tyre për të qenë faktor destabiliteti. Mirëpo intervenimi i Uashingtonit duke i future në “listë të zezë” është një hap vendimtar në defaktorizimin e planeve të Dodikut, Radojçiqit, Veselinoviqi,… dhe mentorëve të tyre, qofshin në Beograd, qofshin në Moskë.
Në reagimet e para nuk vërehet ndonjë kokëçarje e madhe as në Beograd, as në Banja Llukë, e as në Veriun e Kosovës, nga vendimi i fundit të SHBA-ve. Mirëpo duhet pritur pak, sepse ndoshta është vetëm ndonjë formë aktrimi. E nëse moskokçarja vazhdon në periudhë më të gjatë, atëherë duhet parashtruar pyetjen, që e parashtrojnë edhe vetë aktivistë opozitarë dhe aktivistë të shoqërisë civile në Serbi. Pyetja është mos ndoshta është e domosdoshme që në “listën e zezë” amerikane të futen edhe Vuçiq e Daçiq, që bashkë me Dodikun, Radojçiqin, Veselinoviqin e të tjerët, të binden se koha e skenarëve destabilizues ka kaluar dhe se për Moskën më mirë është të shohë punët e veta, pasi ka kush kujdeset për të mirën e Ballkanit.