Koalicioni ASH-Alternativa prezantoi kornizat e programit zgjedhor (video)

Shkup, 20 qershor 2020 (MEDIAL) – Koalicioni Aleanca për Shqiptarët- Alternativa (ASH-AA) sot ka prezantuar kornizat e programit zgjedhor.

Ata thanë se nuk do të garojnë në zgjedhjet e 15 korrikut me ëndrra, por me projekte konkrete për të çrrënjosur pabarazitë në shoqëri.

“Kuptohet që ne kemi një program të begatë, një program ku ne jemi të fokusuar në çrrënjosjen e të gjitha formave të pabarazisë, jo rastësisht e kemi titulluar programin tonë ‘shtet për të gjithë’. Shtet për të gjithë, sepse deri tani shteti nuk ka qenë i barabartë për të gjithë, shteti në të gjithë vertikalen e funksionimit të tij, nuk ka qenë i barabartë dhe këtë e shohim në format më të dhimbshme të mundshme, tek i dëgjojmë vendimet e gjykatave të cilat vazhdojnë të jepen në bazë të emrave dhe mbiemrave dhe përkatësisë etnike që ke”, tha Sela, kryetar i ASH-së.

Ndërkohë, Afrim Gashi tha se shtylla kryesore e këtij koalicioni është unifikimi i dy subjekteve të mëdha shqiptare, për të dalur bashkë në zgjedhje dhe për ta shfaqur këtë unitet, sakrificë e vetëmohim, konform shqiptarëve.

“Ne kemi vendosur që në këto zgjedhje si koalicion të bëjmë një program i cili në vete ngërthen dy komponente kryesore. E para është të gjejë zgjidhje për problemet më të mëdha që i kanë shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e vendit dhe komponenta e dytë se jemi munduar të mos shkruajmë as një shkronjë që ne nuk besojmë se mund ta realizojmë”, tha Gashi, lider i Alternativës.

Ndryshe, ky koalicion në këto zgjedhje merr pjesë me moton “Tash është koha”. fab/

Fjala e kryetarëve të Alternativës, Afrim Gashi, dhe Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në konferencën e sotme për media.

Posted by Alternativa on Сабота, 20 јуни 2020