KMDLNj: Respektojeni rregulloren e kuvendit, silluni si parlamentarë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar pas përplasjes së mbrëmshme ndërmjet deputetit të LDK-së, Xhavit Ukaj me Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës.

KMDLNj përmes një
komunikate për medie, ka kërkuar që deputetët ta respektojnë rreulloren e
Kuvendit dhe të sillën si parlamentar.

“Refuzimi i votimit të Ligjit anti –
COVID- 19 për KMDLNj është kundër interesit qytetar dhe nuk mund të arsyetohet
me asgjë. Refuzimi i votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe rishikimi i
Buxhetit, në kohë kur me një shpejtësi algjebrike po varfërohet populli i
Kosovës, po falimentojnë bizneset dhe po humben vendet e punës është dashur të
votohen me urgjencë e jo që të stërgjatën diskutimet duke u politizuar
skajshëm, për të arritur një qëllim politik”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Qytetarët
e Kosovës janë dëshmitarë kur të zgjedhurit e tyre janë larg përgjegjësive që
ua jep vota dhe premtimi elektoral që e kanë dhënë. Kosova, me një demokraci
ende të pakonsoliduar duket se nuk është mësuar me sjelljet e deputetëve.
Mirëpo, nëse i krahasojmë këto sjellje me vendet që kanë demokraci të
qëndrueshme dhe kulturë parlamentare të konsoliduar, as në Kosovë, përkundër
shumë problemeve, nuk e kemi gjendjen më të keqe. Për KMDLNj nuk është aq
shqetësues fakti se mund të ketë ndonjë incident verbal sepse kjo është në
kuadër të një demokracie parlamentare por është shumë shqetësues fakti se fjalori
dhe sjellja, në disa raste joparlamentare, reflekton gjatë votimit të ligjeve
apo marrëveshjeve me interes të përgjithshëm.

Refuzimi
i votimit të Ligjit anti – COVID- 19 për KMDLNj është kundër interesit qytetar
dhe nuk mund të arsyetohet me asgjë. Refuzimi i votimit të marrëveshjeve
ndërkombëtare si dhe rishikimi i Buxhetit, në kohë kur me një shpejtësi
algjebrike po varfërohet populli i Kosovës, po falimentojnë bizneset dhe po
humben vendet e punës është dashur të votohen me urgjencë e jo që të stërgjaten
diskutimet duke u politizuar skajshëm, për të arritur një qëllim politik. Është
e pamoralshme kur deputetët me të ardhura të majme dhe të garantuara
kundërshtojnë që të sigurohen edhe pagat minimale, për një mbijetesë minimale,
për ata që kanë mbetur pa punë shkaku i pandemisë. 

Sa
i përket mbarëvajtjes së punës së Kuvendit, kryetarja është autoriteti dhe
arbitri përfundimtar i interpretimit të Rregullores dhe duhet të sillet në
përputhje me Rregulloren. Qartazi po shihet se është krijuar një çarje e madhe
midis kryetares së Kuvendit dhe partisë që i takon qoftë edhe nominalisht,
LDK-së e që po reflekton negativisht në punën e Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit
duhet t’i trajtojë të gjithë deputetët njësojë sikur që deputetët duhet të
sillen me respekt ndaj kryetares së Kuvendit.

KMDLNj
konsideron se pikërisht tensionet e motivuara politikisht po reflektojnë në
menaxhimin e seancave të Kuvendit për faktin se nga një shkëndijë e vogël
politike, seanca po merr flakë të panevojshme dhe po përfundon me skena jo të
mira.  Rregullorja e Kuvendit shprehimisht e sqaron edhe punën e debateve,
diskutimeve, replikave qoftë si deputet, qoftë në emër të grupit parlamentar e
kjo qartazi nuk po respektohet.

KMDLNj
kërkon nga deputetët të sillen në përputhje me mandatin si përfaqësues të
popullit kurse,  për shkak të ndjeshmërisë së situates duhet t’i
tejkalojnë intereset personale dhe partiake dhe t’i votojnë marrëveshjet
ndërkombëtare, rishikimin e Buxhetit dhe Ligjin anti COVID- 19 në mënyrë që të
tejkalohet situata më lehtë.