“Kështu e hanë të gjithë”/ “Deklarata” e Saimir Tahirit në hyrje të gjykatës

Ditën e sotme po mbahet seanca gjyqësore ku pritet të jepet dhe vendimi për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Në momentet e mbërritjes Tahiri ka shkëmbyer dhe një batutë me një nga operatorët që po filmonte, i cili është penguar gjatë filmimit.

“Filmoni, filmoni se kështu do e hanë të gjithë”, ia kthen Tahiri operatorit, i cili thotë se “jemi mësuar, ka ekuilibra kjo”.

Ndërkohë seanca ndaj tij po zhvillohet pa praninë e medias për shkak të covid-19, ndërsa mësohet se gjykata është tërhequr për tu shprehur për vazhdimin e gjykimit, pasi u prezantua ndryshimi i trupës.

Kujtojmë se Dhimitër Lara është gjyqtari i tretë të cilit i ra shorti që plotëson trupën për çështjen Tahiri së bashku me Nertina Kosova dhe Albana Boksi.

Disa ditë para vendimit për Saimir Tahirin dhe Jaeld Çelën, trupa gjyqësore mbeti e paplotë dhe vetëm me dy anëtare, pasi njëra prej tyre Nure Dreni u shkarkua nga vettingu.

Ndërkohë u hodh shorti për të zëvendësuar Nure Drenin dhe shorti i ra Saida Dollanit. Por burime të Top Channel thanë se pas hedhjes së shortit gjyqtarja e Posaçme e Apelit ka paraqitur dorëheqjen, pasi është konsmuar në një çështje paraprake në dosje.

Kështu shorti u rihodh dhe i ra Dhimitër Larës, i cili siç ka raportuar me herët Top Channel nuk është konsumuar në gjykime të veçuara apo të bashkëlidhura me dosjen Tahiri.

Ndërkohë vendimi për Tahirin ishte parashikuar që të jepej në 11 qershor, ku ai paraqiti dhe një mbrojtje voluminoze prej 138 faqesh.

Vitin e kaluar Saimir Tahiri u dënua me 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3.4 vite shërbim prove dhe dënimi u dha për shpërdorim detyre. Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana tjetër kërkonte 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.