Këshilltari i Departamentit të Shtetit Derek Shole në Shkup
Shkup, 11 janar – Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Shole sot do të qëndrojë në Shkup, me çka do të takohet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, me të cilin do të bisedojë për disa çështje, në mesin e të cilave energjetika, ekonomia dhe lufta kundër korruspionit.
Delegacioni i kryesuar nga Shole do të pritet para pllajës së Qeverisë.
Qëllimi i vizitës së Sholes në Ballkanin Perëndimor, siç paraprakisht bëri të ditur Departamenti i Shtetit, është që ta theksojë përkushtimin e përhershëm të SHBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.
Vizita e tij në vend është në kuadër të turneut ballkanik, gjatë të cilit do t’i vizitojë edhe Kosovën dhe Serbinë.
Ambasadorja e SHBA-së në vend, Anxhela Ageler të hënën tha se SHBA-ja ka plan që t’i riafimojë prioritetet e përbashkëta siç është lufta kundër korrupsionit dhe se kjo do të mbetet prioritet për Uashingtonin dhe do të ngritë disa çështje gjatë vizitës së këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Shole.
Ageler theksoi se ky do të jetë vit shumë intensiv, ndërsa siç tha, këshilltari Shole me vizitën e tij do t’i konfirmojë angazhimet dhe mbështetjen e SHBA-së për Maqedoninë e Veriut.
Këshilltari i sekretarit shtetëror të SHBA-së, Entoni Blinken, nga Shkupi shkon për Prishtinë në takime me përfaqësues qeveritarë, liderë politikë dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Në fokus të bisedimeve do të jenë përpjekjet e SHBA-së që të ndihmojë në avancimin e integrimit kosovar dhe euroatlantik, duke përfshirë edhe përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja që të arrihet marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të fokusuara në njohjen e ndërsjellë.
Më 12 janar, Shole do të vazhdojë në Beograd, ku me udhëheqësinë e Qeverisë serbe do të bisedojë për sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe progresin drejt qëllimit të Serbisë për qasje në BE. Ai, gjithashtu, do të bisedojë për rolin e Serbisë në përforcimin e paqes rajonale dhe sigurisë dhe angazhimit të saj të vazhdueshëm në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Shole do të udhëtojë në Shkup, pas vizitës së Emirateve të Bashkuara Arabe, nga 8 deri 10 janar, si pjesë e delegacionit mes agjencive që të marrin pjesë në takimin e parë të grupeve të punës të Forumit Negev.
Shole duhej të udhëtonte në Shkup muajin e kaluar, por vizita e tij ishte shtyrë për shkak të testit pozitiv në Kovid.
“Më vjen keq që duhet të shtyj udhëtimin tim në Ballkan dhe në Bruksel për shkak të testit pozitiv për Kovid. Unë do të mbetem i angazhuar në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me rajonin e Ballkanit dhe mezi pres ta bëj udhëtimin në fillim të vitit të ardhshëm”, shkroi atëherë diplomati i lartë amerikan në profilin e tij zyrtar në Tuiter.