Këshilli gjyqësor do të shpallë konkurs të ri për gjyqtarë për plotësimin e vendeve të zbrazëta në gjykatat e vendit

Shkup, 30 maj – Këshilli gjyqësor sot në seancë solli vendim që të shpallet konkurs i ri për gjyqtarë në Gjykatat themelore të vendit të destinuara për kandidatët që kanë mbaruar Akademinë për gjyqtarë dhe Prokurorë publik, pasi në shpalljen e kaluar nga marsi i këtij viti, në disa qytete pozitat e gjyqtarëve mbetën të paplotësuara, ndërsa për disa nuk kishte fare interes.

Shpallja do të jetë gati në afat më të shpejtë të mundshëm për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe do të kërkohen kandidatë nga radhët e akademisë për t’i përmbushur vendet e zbrazëta në Gjykatat themelore. 

Sipas shpalljes, nga tre vende gjyqësore do të kërkohen në Strugë, Kërçovë, Prilep dhe Strumicë, nga dy gjyqtarë në gjykatat e Ohrit dhe Dellçevës dhe nga një në Krushevë, Berovë, Kumanovë dhe Manastir. Në shpallje do të mundë të aplikojnë edhe kandidatë për shtatë vende në Gjykatën Themelore Penale dhe tetë në Gjykatën Themelore Civile në Shkup.

Arsyeja e shpalljes së re, që ishte iniciativë e anëtarit të Këshillit gjyqësore Milazim Mustafa është se në shpalljen e kaluar, nga 29 marsi i vitit 2023, janë paraqitur vetëm 11 kandidatë nga Manastiri, Strumica, Tetova dhe Sveti Nikolla, ndërsa për gjykatat themelore në një numër më të madh qytetesh, nuk ka konkurruar askush.

Sipas Mustafës, vendet e gjyqtarëve për këto komuna janë zgjedhur për shkak se, tha ai, me muaj e dinë se në cilat gjykata ka mungesë dhe ku është më se e nevojshme të plotësohen vendet e lira. Mungesë, siç tha ai ka edhe në Gjykatën Civile, si dhe në Gjykatën Penale ku nevojiten mbi 20 gjyqtarë.

“Disa gjykata punojnë me një deri në dy gjyqtarë, ndërsa në vitet e ardhshme mund të mbeten edhe pa gjyqtarë për shkak të pensionimit. Këto gjyqtarë të rinj do të kenë mundësinë që t’i mbushin vendet e zbrazëta”, theksoi Mustafa. 

Këshilli Gjyqësor sot zgjodhi shtatë gjyqtarë porotë për Gjykatën Themelore Penale Shkup të cilët i plotësuan kushtet e shpalljes së Gjykatës: Hristijan Talevski, Aneta Angelovska, Liljana Gjoshevska, Irena Tasevska, Angela Andonovska, Ema Paunovska dhe Jani Kurte. 

Anëtarët e Këshillit konstatuan edhe ndërprerjen e veprimtarisë gjyqësore të Gordana Gjorçevës nga Gjykata e Apelit për shkak të plotësimit të kushtit për pension, si dhe ndërprerje të veprimtarisë së Suza Trajkovskës si gjykatës porotë nga Gjykata Themelore në Koçan për shkak se ka mbushur 60 vjet që është mosha maksimale për një porotë.