KE-ja dhe Berlini me mesazh të qartë – fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur

/

Komisioni Evropian me padurim po pret që të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur, ky është qëndrim i qartë i Komisionit, por Këshilli duhet të miratojë kornizën e negociatave që kemi dorëzuar para disa kohësh, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian për Zgjerimin Ana Pisonero. Deklarata erdhi pasi ministri gjerman i Punëve të Jashtme Hajko Mas tha se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk duhet të ndahen në procesin e negociatave me BE-në.

Zëdhënësja për zgjerim, Ana Pisonero në brifingun e djeshëm të rregullt për gazetarë e përsëriti qëndrimin e Komisionit Evropian, siç njoftoi korrespodentja e MIA-s nga Brukseli.

“Komisioni Evropian me padurim e pret mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sa më shpejtë, kjo është pozita e qartë e Komisionit, por Këshilli është ai që duhet t’i miratojë kornizat negociuese që i kemi parashtruar më herët”, tha Pisonero.

Ajo shtoi se pret nga kryesimi portugez t’i konvokojë konferencat për të dy vendet sa më shpejtë.

Komisioni Evropian vlerëson se të dy vendet janë të gatshme t’i fillojnë negociatat me BE-në, menjëherë pasi vendet anëtarë të japin dritë të gjelbër, për miratimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare.

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së punës në Gjermani, dje realizoi takim me sekretarin shtetëror për Evropë në MPJ-në gjermane, Mihael Roth, ku e ka potencuar rëndësinë për implenentimin e vendimit të Këshillit të BE-së në mars të vitit të kaëluar, si kush të rëndësishëm për mbajtjen e kredibilitetit evropian të rajonit, posaçërisht kredibilitetit të procesit të zgjerimit.

“Inkurajon fakti që në kuadër të treshes udhëheqëse, Gjermania e mban rolin e saj proaktiv në mbështetje të presidencës portugeze, për rrumbullakimin e procesit të bashkimit të Evropës, si interes i përbashkët evropian. Them rrumbullakimin, sepse Maqedonia e Veriut dhe në përgjithësi rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk gjendet në periferinë e Evropës, por në zemër të Evropës, të rrethuar vetëm me vende anëtare të BE-së. Ky hap do të përcjell doemos inkurajim për të gjithë rajonin dhe do të përforcojë kredibilitetin evropian në përgjithësi”, deklaroi Osmani.

Në takim me Uve Korsepius, këshilltar për BE i kancelares Angela Merkel, fokusi përsëri ishte vënë në riafirmimin e mbështetjes gjermane në perspektivën tonë evropiane, por u hapën çështje edhe për forma tjera të bashkëpunimit me qëllim zhvillimin në përgjithësi të raporteve mes dy vendeve.

Agjenda e Osmanit në Berlin kishte edhe takime me shumë bashkëbisedues tjerë të rëndësishëm, dhe në këtë drejtim, ai u takua me Zabine Shter, i autorizuar për politikat e BE-së, Suzane Shuc, drejtoreshë për Evropë Juglindore, Turqi dhe shtetet e EFTA-s, në MPJ-në gjermane.

Vizita në Gjermani, informoi MPJ, u shfrytëzua edhe për takime në Bundestag, ku Osmani u takua me Ginter Krihbaum, kryetar i Komitetit për çështje evropiane dhe me Manuel Saracin, ku u bisedua për bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve, me çka u tha se realizimi i reformave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, para së gjithash, janë në dobi të qytetarëve dhe transformimin e vendit në demokraci kredibile evropiane. Bashkërisht u konfirmua se Maqedonia e Veriut meriton të nis procesin e bisedimeve dhe transformimit me qëllim anëtarësimin në BE.

Vizita e punës në Berlin e shefit të diplomacisë, Osmani, është pjesë e turneut të tij diplomatik në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Riafirmimi i mbështetjes nga ana e Gjermanisë është rezultati pozitiv nga kjo vizitë dhe nxitje e rëndësishme për shtetin në këtë drejtim.

Osmani nesër udhëton për në Kopenhagë në takim me homologun e tij, ministrin Jepe Kofod.

Ndryshe, Gjermania është kategorikisht kundër çdo zhvendosje të kufijve, deklaroi ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Hajko Mas në konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani në Berlin, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve për të dhënë koment në non pejper që u shfaq muajin e kaluar dhe në të cilin propozohet, duke tërhequr përsëri kufijtë e Ballkanit Perëndimor.