Kandidatët për ta zëvendësuar Sarrin

Juventusi dështoi për të disatën herë të fitojë në Europë, pavarësisht dominimit që po bën në futbollin italian, teksa mbrëmjen e djeshme u eliminua nga Lyoni në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve.

Presidenti Andrea Agnelli u shfaq mjaft i zhgënjyer në përfundim të ndeshjes së djeshme ndaj francezëve dhe pranoi se po reflekton për të bërë ndryshime të rëndësishme në skuadër, ndërsa duket se dështimin këtë herë e ka paguar trajneri Maurizio Sarri.

Klubi bardhezi ka njoftuar zyrtarisht shkarkimin e Sarrit, kontrata e të cilit me Juventusin skadon më 2022-shin, ndërsa drejtuesit torinezë kanë nisur menjëherë nga puna për të gjetur pasuesin e 61-vjeçarit.

Ëndrra e bardhezinjve quhet Zinedine Zidane, që aktualisht drejton Realin e Madridit, një tjetër skuadër e eliminuar mbrëmjen e djeshme nga Liga e Kampionëve. Francezi njeh mirë ambientin juventin, pasi dikur ka luajtur dhe shkëlqyer me fanellën bardhezi, ndërsa te Reali ka fituar tre herë Ligën e Kampionëve dhe në Torino shpresojnë që mund ta bëjë këtë edhe me klubin italian.

Emrat e tjerë janë ata të italianëve Simone Inzaghi dhe Roberto Mancini, i pari nën kontratë me Lazion dhe tjetri me Federatën Italiane, pasi drejton Kombëtaren “axurre”. Tekniku i bardhekaltërve është ndjekur me vëmendje vitet e fundit nga drejtuesit e Juves, të cilët janë gati të paguajnë për prishjen e kontratës së tij me Lazion, ndërsa më e vështirë duket arritja te Mancini, që ka ndërtuar një skuadër dhe do të luajë shanset e tij me Italinë në Europianin 2020.

Më pak të mundshmit, por që gjithashtu janë në listën e drejtuesve të Juventusit, janë argjentinasi Maurizio Pocchetino dhe dy ish trajnerët e Juventusit, Massimiliano Allegri dhe Antonio Conte.

Tani futbollistët e Juventusit janë nisur me pushime, ndërsa drejtuesit duhet të nxitojnë për të gjetur sa më shpejt trajnerin e ri dhe bashkë me të të fillojnë planifikimin e merkatos për sezonin e ardhshëm, që pritet të jetë i ngjeshur dhe i komplikuar për shkak të pandemisë.