Juristi i PD-së tregon shkeljet gjatë fushatës: Në Yzberisht nga 8 mijë banorë popullsia shkoi në 22 mijë!

Avokati Marash Logu numëroi një sërë faktesh sipas të cilit PS ka bërë shkelje gjatë fushatës elektorale. I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV,  Logu tha se vetëm gjatë periudhës janar-prill 2021 janë shpërndarë 2.5 milionë euro më shumë ndihma ekonomike, janë shpërndarë 120 milionë euro ndihma për familjet e prekura nga tërmeti, si dhe në njësinë Yzberisht në 4 muaj nga 8 mijë banorë popullsia shkoi në 22 mijë banorë gjë që sipas tij do të ndikonte më pas në rezultatin e zgjedhjeve në favor të PS.

“Po ju sjell disa shkelje të rënda të ligjit zgjedhor që janë bërë gjatë fushatës zgjedhore nga ana e PS dhe qeverisë. Vetëm gjatë periudhës janar-prill 2021 janë shpërndarë 2.5 milionë euro më shumë ndihma ekonomike për familjet në nevojë.

Në qarkun e Elbasanit ne kemi mesazhet që u janë çuar familjarëve në Elbasan ku u thuhej se ndihma ekonomike ishte dyfishuar nga shkurti në qershor falë Taulant Ballës dhe ne presim që kjo ndihmë që po u jep shteti të përkthehet në ndihmë ndaj Taulant Ballës.

Nga ana tjetër ne kemi paraqitur prova se si janë shpërndarë 120 milionë euro ndihma për familjet e prekura nga tërmeti në të gjitha qarqet ku kishte familje të tilla. Kemi paraqitur fakte se si zyrat elektorale të PS u kthyen në zyra të gjendjes civile ku rasti më flagrant është ai i Yzberishtit, ku vetëm në njësinë Yzberisht në 4 muaj nga 8 mijë banorë popullsia shkoi në 22 mijë banorë dhe rritja prej 14 mijë banorësh nuk ka se si të shpjegohet ndryshe sepse nuk ka ndodhur askund tjetër përveç se me votues të sjellë artificialisht për të rritur rezultatin.

Pati punësime masive që janë konstatuar edhe nga institucionet publike. Në administratë pati mbi 10 mijë të punësuar të konstatuara nga INSTAT këto të dhëna”, tha juristi Marash Logu.