Itali, Salvini nuk tërhiqet nga opsioni i zgjedhjeve

në kategorine Bota

Zëvendës kryeministri i Italisë, Mateo Salvini nuk tërhiqet nga opsioni i zgjedhjeve të parakohshme. Kreu i Ligës së Veriut ka deklaruar se për krizën politike që ka përfshirë vendin fqinj mirë është të flasin italianët përmes votës.

Kryetari i Ligës së Veriut, Mateo Salvini ka ritheksuar se nuk ka ndërmend të tërheqë mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit Xhuzepe Konte. “Më 20 gusht do të votohet mocioni”, ka deklaruar Salvini në një intervistë radiofonike, ku ka mohuar ekzistencën e lojrave politike dhe shanset për qeveri teknike. “Rruga kryesore, më demokratike, transparente dhe lineare është ajo e zgjedhjeve.

Po bëjmë gjithçka që italianët të mund të votojnë. Sa më shpejt, aq më mirë”, ka thënë Salvini. Gjatë diskutimeve në senat më 13 gusht, lideri i ekstremit të djathtë kishte sfiduar ish-partnerin e tij qeverisës Luixhi di Maio, duke propozuar shkurtimin e numrit të parlamentarëve dhe më pas mbajtjen e zgjedhjeve. Një lëvizje, që për liderin e Lëvizjes 5 Yjet është pasojë e dëshpërimit.

Pa harruar këtu faktin se pa një qeveri nuk mund të ketë një votim për reduktimin e numrit të ligjvënësve. Kjo për Salvinin është një anomali. “Nuk e kuptoj përse kryetari i Parlamentit, në vend që të fuste në agjendë shkurtimin e parlamentarëve e ka vënë atë pas mocionit të mosbesimit”, ka vijuar zëvendës kryeministri. Ai është shprehur se nuk ka asnjë faj për këtë dhe ka shtuar se nuk do të marrë mundimin të interpretojë mendimet e kryeparlamentarit./ABC News Albania 24/7

Burimi: http://abcnews.al/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.