Interpelanca e Hotit, deputetja e PDK-së adreson kritika ndaj Qeverisë për procesin e dialogut

Në arsyetimin e saj, deputetja e PDK-së tha se dy pikat mbi të cilat thirret Qeveria Hoti sa i përket çështjes së dialogut, në njohjen e ndërsjellë dhe normalizimin e marrëdhënieve, janë duke u zbehur si qëndrim final.

“Dy pikat mbi të cilat thirret kjo Qeveri sa i përket çështjes së dialogut në njohjen e ndërsjellë dhe normalizimin e marrëdhënieve janë duke u zbehur si qëndrim final. Nuk kemi njohje edhe pse kishim garanci e zotime nga Qeveria Hoti. Normalizimi nuk është duke ndodhur me sjelljen e Serbisë e përgatitjen e Qeverisë së Kosovës, së pari në qartësimin e çështjeve, transparencës e pastaj edhe në kërkesa. Bisedimet çojnë në Bashkimin Evropian dhe çfarë do të bisedohet për të shkuar në BE kanë dallim, sepse këtu duhet të ketë dallim edhe në diskurs dhe planet e Qeverisë Hoti”, tha ajo.

Deputetja Ismaili-Ahmeti tha se është e pafalshme se si Qeveria e Kosovës e lejon si temë të dytë çështjen e të pagjeturve.

“Personat e zhdukur janë përgjegjësi kryekëput e institucioneve serbe të cilat institucionalisht kishin dorë në zhdukjen e tyre, fati i të cilëve ende nuk dihet. Është e pafalshme se si kjo Qeveri e lejon si temë të dytë çështjen e të pagjeturve, krahas atyre të zhvendosur kur shteti ynë i ka kryer të gjitha obligimet. Kryeministri Hoti kishte deklaruar se çështja e të pagjeturve është temë kryesore në çfarëdo marrëveshje që arrihet për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pyes, cila është strategjia dhe platforma e Qeverisë Hoti në këtë aspekt, a ka aktualisht një të tillë”, tha ajo.

Deputetja e PDK, tha se partia të cilën e përfaqëson e mbështet rrugën e Kosovës drejt Evropës nëpërmjet bisedimeve, duke marrë parasysh gatishmërinë e palës qeveritare për të ndërtuar grup ekspertësh, konsensus të brendshëm dhe platformë konkretë. Ajo tha se asnjërën nga këto nuk po e ndërton kjo Qeveri.

Ajo tha se kërkojnë që në këtë seancë kryeministri Hoti të raportojë për secilën pikë një nga një të çështjeve të diskutuara në Bruksel nga ana e grupeve teknike.

Deputetja ka paraqitur edhe një mocion përmbajtjesor lidhur me këtë çështje. /kp