“International Policy Digest”: Maqedonia u përket të gjithëve pavarësisht prejardhjes etnike

Shkup, 12 gusht – Mjaft është, Maqedonia e Veriut u takon njerëzve në Maqedoni, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre etnike, bën të ditur portali “Interneshënëll Polisi Dixhest” (IPD) në një tekst kushtuar vendit.

“Njerëzit atje ndajnë një histori të përbashkët, gjuhë, territor të përbashkët dhe ka qeveri që është e aftë të zbatojë politika. Sipas nenit 1 të Konventës nga Montevideo, kjo është e mjaftueshme që një territor të konsiderohet shtet, shton IPD-ja.

Në tekstin thuhet se në historinë e re “vendi u përkiste osmanëve dhe popujve sllavë, madje edhe Greqia ka pretendime ndaj saj”.

“Perandoria Osmane nuk ekziston, grekët e lashtë nuk ekzistojnë dhe Maqedonia e lashtë nuk ekziston, por megjithatë ekziston krenaria e njerëzve me një histori të përbashkët, bën të ditur autori i tekstit duke pyetur “çfarë ndodhi me Maqedoninë, dikur vendi krenar prej nga vijnë familjet e Aleksandrit të Madh dhe Kleopatrës? “.

IPD shton se një vështrim i shkurtër në historinë e vendit që nga fillimi i shekullit të 20 -të tregon se si “pretendimet ndaj njerëzve dhe territorit shkatërruan shtetin dikur të lavdishëm dhe njerëzit krenarë”.

“Kontrollit osman mbi Maqedoninë iu dha fund pas Luftërave Ballkanike në vitet 1912-13. Ashtu si kripa në plagë, Maqedonia u nda midis grekëve, bullgarëve dhe serbëve. Në Luftërat Ballkanike, osmanët u mundën nga forcat e pajisura dobët dhe inferiore dhe humbën shumicën e territoreve të tyre evropiane. Pas fitores, Greqia pretendoi se njerëzit dhe vendi ishin grekë. Pas Luftës së Parë Botërore, pjesa serbe e Maqedonisë u përfshi në Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, e cila më vonë në 1929 u quajt Jugosllavi. Pas Luftës së Dytë Botërore, pjesa serbe e Maqedonisë u bë republikë përbërëse brenda Republikës Popullore Federale të Jugosllavisë. Kjo u konsiderua si një zgjidhje e pranueshme”, shtohet në tekstin.

Portali thekson se “në vitin 1945 gjuha maqedonase u njoh në kuadër të Jugosllavisë”.

“Kolapsi i Jugosllavisë bëri që Republika e Maqedonisë të shpallte pavarësinë në vitin 1991. Por, rruga drejt pavarësisë ishte e shtrenjtë. Maqedonia u nda nga Jugosllavia në vitin 1991. Vendi u përpoq të bëhej anëtar i Kombeve të Bashkuara në prill të vitit 1993, por në këtë synim u pengua nga kontesti i emrit “Maqedoni” me Greqinë, e cila pretendoi se emri ishte helen dhe i përkiste Greqisë”, bën të ditur ITD.

Portali përkujton se Greqia kundërshtoi përdorimin e emrit Maqedoni pa “përcaktim” gjeografike, në mënyrë që, siç pohonte, “të shmangë konfuzioni me rajonin e saj grek, Maqedonia.

“Greqia në arrogancën e saj ende mendonte se vetëm asaj i takon lavdia e mëparshme e Maqedonisë, sepse disa grekë etnikë identifikohen si maqedonas. Ata konsideronin se Maqedonia e vërtetë nuk kishte lidhje me popullin sllav që jetonte në Maqedoninë e sotme të Veriut. Greqia kundërshtoi më tej përdorimin e emrit Maqedonas për grupin më të madh etnik në vendin fqinj,

duke e akuzuar atë për përvetësimin e simboleve dhe figurave që historikisht i kishte konsideruar pjesë të kulturës greke (si Dielli i Verginës dhe Aleksandrit të Madh), si dhe promovimin e konceptit irredentist të një Maqedonie të bashkuar, e cila do të përfshinte territoret e Greqisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Serbisë. Maqedonia më vonë u pranua në OKB me emrin e përkohshëm “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”, dhe në qershor 2018 u arrit marrëveshje për të riemërtuar vendin “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Ky riemërim hyri në fuqi në Shkurt 2019″, bën të ditur portali në shqyrtimin.

IPD vlerëson se është e padrejtë “që këta njerëz krenarë të përkulen para Greqisë”.

“Po, dikur Maqedonia ishte pjesë e kulturës greke, ashtu si edhe Palestina, por tani askush nuk ka iluzione se i përket Greqisë, konstaton “Interneshënëll Polisi Digjest”.

Portali në tekst i referohet gjithashtu konfliktit në vitin 2001, për të cilin thotë se përfundoi me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.

“Sipas kushteve të Marrëveshjes së Ohrit, autoritetet ranë dakord të transferojnë më shumë pushtet politik te pakica shqiptare. Pala shqiptare, nga ana tjetër, ra dakord të braktisë kërkesat separatiste dhe të njohë plotësisht të gjitha institucionet maqedonase, shton autori.

Në fund të tekstit, autori i referohet zhvillimeve aktuale, duke deklaruar se “ka një mosmarrëveshje nëse Maqedonia do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, duke theksuar se “bisedimet e pranimit të Maqedonisë në BE u bllokuan nga Bullgaria në vitin 2020, për shkak të një kontesti mbi historinë, identitetin kombëtar dhe gjuhën”.

“Mjaft është. Maqedonia e Veriut u përket njerëzve në Maqedoni, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre etnike. Njerëzit atje ndajnë histori, gjuhë, territor të përbashkët dhe ka një qeveri të aftë për të zbatuar politika. Kjo sipas Nenit 1 të Konventës së Montevideos është e mjaftueshme që një territor të konsiderohet shtet. Si sllavët ashtu edhe grekët duhet të pranojnë që Maqedonia u përket maqedonasve, konstaton “Interneshënëll Polisi Dixhest”.