Inspektorati Policor: Intervistimi i Drejtorit të Policisë nuk ndërlidhet me konfiskimin e drogës por si dëshmitar

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka sqaruar rreth shkrimeve të publikuara lidhur me intervistimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

IPK konfirmon se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti është ftuar për intervistë bazuar në mandatin ligjor të IPK-së.

“Mehmeti është intervistuar nga hetuesit e IPK-së në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin ku një prej vartësve të tij është i dyshuar për veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, thuhet në sqarim.

Tutje theksohet se lidhur me rastin e njëjtë IPK ka pasur edhe një komunikatë për medie më 20 shtator 2021.

Sipas IPK-së intervistimi i tij nuk ka ndërlidhje me rastin e konfiskimit të substancës së dyshuar narkotike të cilin rast është duke e hetuar vet Policia e Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës  duke i falënderuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm, inkurajon mediet që para publikimit të informacioneve t’i drejtohen Divizionit për bashkëpunim dhe informim të IPK-së për sqarimin e informacioneve dhe marrjen e informatave të sakta, në mënyrë që të ketë informim të drejtë të opinionit publik”, thuhet në fund të komunikatës.