Ilir Meta: Ballkani i Hapur rivalizon procesin e Berlinit, ringjall fantazmën e Millosheviç

Nga Prishtina, presidenti Ilir Meta është shprehur ka dy rezerva për nismën Ballkani i Hapur, pjesë e të cilës janë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Meta deklaroi se ai shpalos një politikë përjashtuese si dhe përpiqet të rivalizojë procesin e Berlinit.

“T’i përmbahemi zbatimit të marrëveshjeve. Kjo është shumë e rëndësishme. Ka një varg “Ah sikur të bëhet edhe një mbledhje që t’i jepte fund të gjitha mbledhjeve”. Duhet t’i shmangemi çdo tentative për t’i personalizuar raportet e pazëvendësueshme Shqipëri-Kosovë. Nuk mund të jetojmë me iluzionin që ajo po shohim të ndodhë në Serbi apo Bosnje, nuk ka ndikim te ne.

Arkitektura e paqes dhe sigurisë është garancia më e mirë dhe më e sigurt për të ardhmen e vendeve tona. Duhet të jemi të vendosur për të refuzuar çdo flirt anti europian. Shqipëria do të përmbushë angazhimet e saj si vend anëtar i NATO-s. Rezerva e parë që kam për Open Balkan është parimore. Bashkimi nuk mund të ofrohet përmes politikës përjashtuese.

Prandaj është shumë e rëndësishme që të kemi në konsideratë parimet që garantojnë bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Rezerva e dytë lidhet me përpjekjet për të rivalizuar procesin e Berlinit. Ballkani i Hapur e parcelizon bashkëpunim vetëm në tre vende dhe duket sikur i jepet Serbisë kundrejt një sjellje më të balancuar në rajon. Si mundet t’u besojmë qëllimeve të mira kur ringjallet fantazma e Millosheviç”, tha Meta.

Meta deklaroi se 500 mijë shqiptarë janë shpallur non grata në vendin e tyre të cilët kanë ikur jashtë Shqipërisë për kushte më të mira.

“Shqipëria nuk do kishte humbur kaq shumë gjyqe me investitorët e huaj por do kishte më shumë investitorë të huaj në Shqipëri. Liderëve të opozitës dhe maxhorancës në Shqipëri u ka interesuar ky proces dhe e paguajnë qytetarët shqiptarë. 500 mijë shqiptarë janë shpallur non grata në vendin e tyre dhe kanë ikur jashtë për kushte më të mira. Nuk bëhet fjalë për largim, bëhet fjalë për shpopullim. Ne duhet të ishim shembull në rajon.

Për fat të mirë shqiptarët në rajon ndërkohë kanë bërë hapa edhe më përpara se Shqipëria. Mali i Zi a mund të ishte në këtë rrugë pa shqiptarët? Shqiptarët në Mal të Zi janë një komunitet solid. Në Maqedoni shqiptarët kanë qenë gjithmonë vendimtarë në proceset demokratike. Çdo dalje nga kursi euroatlantik çon ujë në mulli të tjetërkujt. Strofulla e fundit e maskarenjve është nacionalizmi”, tha Meta.