Ilindeni me a pa shqiptarët?

në kategorine Lajme/Opinione

Kur kthehemi në të kaluarën, duhet ta shikojmë kontekstin e rrethanave të atëhershme, pa ngarkesat apo nuancat emotive që kemi ne gjeneratat e tashme për shumëçka që na ka ndodhur në kohën më të re

Nga Daut DAUTI

Kaloi kremtimi i Ilindenit, ose, siç thuhet, i “dy Ilindenëve,” atij të 2 gushtit 1903(Kryengritja e Ilindenit dhe Republikës së Krushevës) dhe 2 gushtit 1944(Mbledhja e ASNOM-it(KAÇKM). Kësaj radhe, për të mos qenë njësoj si çdo vit, në njërën nga dy vendet ku mbahen manifestimet, mbajti fjalim kryetari i Kuvendit, e ai kësaj radhe, rastis të jetë shqiptari Talat Xhaferi.

Por, as paraqitja e Talatit, e as, për herë të parë pas shumë vitesh, të ketë edhe pjesëmarrës artistikë shqiptarë, nuk i ngrohi zemrat e shqiptarëve. Ose, të paktën, jo të gjithë ranë në trans për këtë. Shumë komente negative pati nga formulimi i kryetarit të Parlamentit se “të gjithë jemi fëmijë të Ilindenit” (nga prirja për të kapur dikë për fjale, ose për të bërë “ish” pavarësisht a ka “pula” ose fjalët t’i bëjnë mortë?), por edhe një herë, disa autorë iu kthyen vetë ngjarjes së para 116 vjetëve, për ta elaboruar të vërtetën historike për rolin e shqiptarëve në të(disa e minimizojnë në përmasa të papërfillshme, të tjerë e glorifikojnë në përmasa sikur ajo të kishte qenë më shumë kryengritje shqiptare!).

Të them se të gjithë kanë të drejtë, do të tingëllojë demagogji, por, më duket se ka shumë të vërtetë në një pohim të këtillë! Sepse, nëse e lëmë anësh qasjen emotive, kur kthehemi në të kaluarën, duhet ta shikojmë kontekstin e rrethanave të atëhershme, pa ngarkesat apo nuancat emotive që kemi ne gjeneratat e tashme për shumëçka që na ka ndodhur në kohën më të re. Kur ne shqiptarët e Maqedonisë i shikojmë ngjarjet e së kaluarës në këtë hapësirë, gjërat i shikojmë edhe nga këndvështrimi i padrejtësive historike dhe mosrealizimit të idealit të bashkimit të shqiptarëve në një shtet. Nga ana tjetër, ekziston edhe realiteti paralel me ne se edhe popujt tjerë kanë luftuar për të njëjtën gjë, ndonjë me më shumë sukses, e ndonjë me më pak sukses ka ecur nëpër proceset historike. Ndonjë edhe në dëm tonin.

Ndaj, kur flasim për Ilindenin, nuk flasim për 28 nëntorin, shumë qartë, flasim për një ngjarje që i ka paraprirë krijimit të shtetit që sot quhet Republika e Maqedonisë (së Veriut). Ne si shqiptarë nuk mund ta anashkalojmë rëndësinë e kësaj date dhe të themi se nuk na intereson përderisa jetojmë në të njëjtin shtet me bashkëqytetarët tjerë që e përjetojnë si të tyren. Nëse jo për tjetër, të paktën duke u nisur nga vetvetja. Por, sa dy Ilindenët, kanë pikëtakimet me shqiptarët, pikërisht në aspektin e realizimit të synimeve të tyre shekullore? Nuk ka popull i cili tërësisht jeton brenda kufijve të shtetit të vet, ndaj dhe bota moderne ka krijuar standarde të avancuara që pjesëve të mbetura përtej kufijve t’u garantohet shkallë sa më e lartë të drejtash, sa më të përafërta me ato që mund t’i kenë në shtetin e tyre. Në këtë këndvështrim, në Maqedoni, që nga viti 1945, shqiptarët kanë pasur periudha rënie e ngritjeje, për të ardhur në ditët e sodit, me shkallë tejet të lartë të pozitës së tyre. Duke kaluar rrugën e vështirë të realizimit, shpesh subjektet politike e intelektuale shqiptare i kanë akuzuar subjektet maqedonase që janë rigidë dhe që nuk iu përmbahen idealeve të Republikës së Krushevës! Me fjalë të tjera, shqiptarët kanë kërkuar që vetë maqedonasit ta jetësojnë pikërisht frymën e Ilindenit! Të vetëdijshëm se nuk jetojnë Shqipërinë e ëndërruar, si ngushëllim, kanë kërkuar strehë nën shtëpinë e përbashkët të ndërtuar mbi themelet e dikurshme të Republikës së Krushevës! Nuk e di pse do të ishte herezi të thirremi në të, nëse ajo ka ofruar më shumë seç realizoi regjimi komunist apo dhe ky demokratik, ku u harruan idealet dhe për ngritjen e standardeve u desh të bëhet dhe një luftë!

E di se ka shumë glorifikime të Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës dhjetëditëshe të Krushevës, por, jo dhe sa i përket idealit të saj që një popull ta realizojë vetveten në një formë autonomie a mëvetësie shtetërore. Ajo që na intereson ne është se çfarë është ajo që u është ofruar shqiptarëve në një bashkësi shtetërore si dhe çfarë ka qenë së pari edhe roli i shqiptarëve? Sa i përket vetë kryengritjes, ka gjëra që ndoshta janë glorifikuar tejmase, si për heroizmin, si për organizimin e vetë kryengritjes dhe themelimin e organeve të Republikës së Krushevës. Janë heshtur edhe disa fakte që i hedhin njollë. Pa hyrë në detaje për të përsëritur atë që është shkruar dhe që të paktën e kemi mësuar në librat e historisë, në anën tjetër të të vërtetës qëndrojnë disa autorë, njërin prej të cilëve kam pasur rast ta shoh gjatë punës sime si lustrator. Ky historian maqedonas qenka marrë në shënjestër nga sistemi i kaluar për shkak se gjithë atë që është shkruar për Kryengritjen e Ilindenit, e ka vënë në pikëpyetje, para së gjithash, ai shkruan se as ka pasur kuvend, as ka pasur qeveri apo organe tjera të mirëfillta…Po e lë këtë si çështje interpretimi se si janë quajtur atë kohë organet dhe a kanë ekzistuar përnjëmend ashtu, po nisem nga ajo që ne zyrtarisht dimë.

E para, Republika e Krushevës merret si bërthama e idesë së shtetësisë së Maqedonisë në kushte kur këtu ende ka sunduar Perandoria Osmane. Motivi për t’u çliruar nga Perandoria Osmane ka qenë te të gjithë popujt ballkanikë, sëkëndejmi edhe te shqiptarët. Nuk është ndonjë herezi të thuhet se edhe shqiptarët kanë bashkëpunuar në këtë kryengritje, duke e pasur parasysh se kanë pasur të njëjtin motiv, atë të çlirimit. Nëse bërthamën e kryengritjes mund ta kenë përbërë maqedonasit, apo siç janë quajtur atë kohë, te udhëheqja e tyre, ka mbizotëruar një ndjenjë e realizmit, ndaj dhe në proklamatën e kryengritjes, janë thërritur të gjithë të çohen kundër robërisë dhe u është premtuar liri dhe barazi e plotë.

E dyta, jo që është proklamuar barazia, por në ato organe që janë themeluar, barazinë e kanë implementuar në praktikë! Kështu, Kuvendi, nëse vërtet ka qenë kuvend, është përbërë nga 20 maqedonas, 20 shqiptarë dhe 20 vllehë, ndërkaq Qeveria, nëse ka qenë vërtet qeveri, ka qenë e përbërë nga 2 përfaqësues të popujve të përmendur.

E treta, pjesëmarrja e shqiptarëve çfarë ka qenë dhe me se është motivuar. Historianët tanë janë të ndarë rreth kësaj. Ka që e afirmojnë pjesëmarrjen dhe ka që e minimizojnë në nivel të kontrabandistëve(furnizuesve) të armëve. Përveç historianëve, edhe vetë njerëzit e rëndomtë, të të dy komuniteteve sikur bëjnë garë për ta rritur pjesëmarrjen ose për ta minimizuar. Disa portale dhe indidividë me triumfalizëm ua bënin me dije minimizuesve (maqedonas) se shqiptarët kanë marrë pjesë në mënyrë masovike, duke marrë si dëshmi një foto të çetës së Pitu Gulit, ku shihet dominimi i plisave të bardhë, për të bërë dhe hapin edhe më të madh, duke e riemëruar komandantin e çetës, në Pjetër Guri, pra, duke e bërë shqiptarë, edhe pse deri tash është shkruar se ka qenë vlleh.

Këto janë disa qasje emotive për këtë ngjarje, që shkojnë nga një skaj në tjetrin. Për mendimin tim, Kryengritja e Ilindenit duhet të shikohet si një ngjarje e rëndësishme e popullit maqedonas, por dhe atij vlleh, në një bashkëpunim edhe me popujt tjerë, në përpjekje për të arritur lirinë dhe për të krijuar një shtet. Synimet e cilitdo popull duhet të shikohet si e drejtë legjitime, sikundër që në të njëjtën kohë, edhe shqiptarët kanë synuar shtetin e tyre. Modeli i shtetit që kanë koncipuar kryengritësit e 1903-shit, është në suaza realiste, duke marrë për bazë realitetin etnik të këtij territori. Atë kohë, por dhe më vonë, ka pasur bashkërenditje të lëvizjeve të popujve, sidomos kundër shtypësit të përbashkët, pushtetit serb, ndaj dhe kemi kryengritjen e përbashkët të vitit 1913, por dhe një bashkëpunim që ka zgjatur edhe më vonë midis Hasan Prishtinës dhe disa veprimtarëve maqedonas. Sigurisht nuk do gjykojmë H.Prishtinën për këtë!

Çështja që krijon animozitet, nuk është as modeli i shtetësisë që kanë paraparë kryengritësit e Ilindenit, as fakti se në të kanë marrë pjesë ose jo shqiptarët, sa largimi nga këto ide më vonë, në ndërtimin e shtetit të përbashkët të Maqedonisë pas luftës së dytë botërore, e sidomos në fillimet e pluralizmit, kur zgjidhjet kushtetuese ishin më rigide se ato që shqiptarët i kishin arritur me kushtetutën e vitit 1974. Në shënimin e sivjetmë të 2 Gushtit dikujt iu bë halë në sy që Nikolla Karevi i Republikës së Krushevës ka një trashëgimtar shqiptar si dhe pse aty u luajtën edhe valle shqiptare, që s’u ishte mësuar syri. Ata që sot ndryshe e konceptojnë shtetin, harrojnë pikërisht modelin e rregullimit çfarë ua ka ofruar popujve Republika e Krushevës. Edhe sot realiteti etnik është i përafërt me atë para një shekulli, ndaj dhe imperativi për ndërtimin e shtetit multikulturor nuk mund të ndryshojë sipas qejfeve të atyre që sot e duan një Maqedoni më ndryshe nga ajo e Republikës së Krushevës. /KOHA/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.