Hoxhaj: Shkarkimi Dakës ka shkelje kushtetuese, Kurti-Osmani po shkatërrojnë të gjitha institucionet e pavarura

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se shkarkimi i kryetarës së KQZ-së, Valdete Daka, është një shkelje me Kushtetutën.

Hoxhaj përmes një postimi në  rrjete sociale, tha se dyshja Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë vendosur të kapin të gjitha institucionet të pavaruara të vendit.

Reagimi i plotë:

Dyshja Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë të vendosur për të shkatërruar e kapur secilin institucion kredibil dhe të pavarur në vendin tonë. Në përpjekjet e tyre për të kthyer prapa secilin proces demokratik e shkarkuar secilin zyrtar profesional, sot Vjosa Osmani me urdhërin e Albin Kurtit shkarkoi nga detyra kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka.

Viteve të fundit, KQZ ka qenë një prej institucioneve më të besueshme dhe me profesionale në vendin tonë, duke qenë përgjegjëse dhe meritore për zgjedhjet më të mira në rajon vit pas viti.

Ky vendim i një kinse presidente, në shërbim të një kinse kryeminsitri, është një prej goditjeve të radhës e të rënda që po i bëhet demokracisë të vendit tonë.

Shumica e arsyetimeve që janë dhënë për shkarkimin e saj nuk kanë të bëjnë fare me kompetencat e kryetares së KQZ-së.

Për më tepër, ky vendim përbën edhe shkelje të kushtetuese sepse Presidenti i Republikës në asnjë vend që ka demokraci kushtetuese parlamentare nuk mund të shkarkojë asnjërin prej anëtarëve të organit që organizon dhe përgatitë mbajtjen e zgjedhjeve. E faktin se vendimi ishte kryekëput personal e hakmarrje politike, e vërteton që vendimi u morr në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale duke vendosur në pikëpyetje organizimin e tyre.

Fatkeqësisht, mëria dhe inferioriteti që këta dy persona kanë ndaj zhvillimeve historike e shtetformuese në Kosovë, nuk do ta ndalet me këto veprime. Me këtë udhëheqje, inatë e amatorizëm qeverisës, rreziqet që e presin Kosovën janë të shumta dhe alarmante.

Ndaj kësaj keqqeversije dhe ndaj këtyre vendimeve të shëmtuara nuk duhet
të heshtë askush.