Hoti paralajmëron rikthimin e reciprocitetit ndaj Serbisë: Pa njohje, s’ka marrëveshje

Para deputetëve, Hoti pyeti deputetët se a kanë folur me ish-ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, kur ishte kërkuar në qeveri shtyerja për anëtarësim në INTERPOL, shkruan lajmi.net.

Sipasi tij, qeveria Hoti e ka ndalur trendin e çnjohjeve.

“Po e shtroj si pyetje, a e keni pyet Konjufcën kur ka kërku në mbledhje të qeverisë shtyerjen e aplikimit për anëtarësim në INTERPOL. Ne kemi mbi 10 tërheqje të njohjeve në tri vitet e fundit, çfarë kemi bërë ne për këto kapacitete që kemi? E kemi ndalë një trend negativ dhe kemi sjellë një njohje. Po mundohemi që politikën tonë të jashtme ta dakordojmë me SHBA-në dhe BE-në. Dhe nëse dikush mendon se mund ta fuqizojë sovranitetin përtej këtyre miqve, le ta thotë”, tha ai.

Hoti foli edhe për marrëveshjen finale me Serbinë, e cila sipas tij nëse nuk përfshin njohje, s’do të arrihet.

Nëse një gjë e tillë ndodhë, Hoti tha se Kosova do t’i rikthej masat e plota të reciprocitetit.

“E kemi heq taksën e reciprocitetin për të nis dialogun, por jo atë të vitit 2011, por për të hyrë në dialog për njohje reciproke për marrëveshje ndërkombëtare. Nuk ka dialog teknik, dhe s’ka marrëveshje parciale që do të nënshkruajmë dhe të sjellim këtu në Kuvend, siç ishte fusnota dhe ajo për tabela. Ky është vetëm dialog për marrëveshje finale me njohje reciproke, nuk e di a do të përmbyllet me njohje reciproke, do të sjellim marrëveshje për njohje reciproke ose do të konstatojmë që s’mund të arrijmë marrëveshje, dhe pastaj do kthehemi tek masat e plota të reciprociteti”, tha Hoti. /Lajmi.net/